Aktori e regjisori i njohur Kirk Douglas ka mbushur 100 vite jetë më 9 dhjetor 2016. Ai është një prej yjeve të fundit që vjen nga ‘Epoka e Artë’ e industrisë së filmave të Hollywoodit. Ka shkëlqyer në filmat Spartacus, Lust for Life, Paths of Glory e shumë filma të tjerë.
Douglas debutoi si aktor në filmin The Strange Love of Martha Ivers, projekt i vitit 1946. Kjo do të ishte pikënisja e një karriere të gjatë 64 vite ku ai do të paraqitej në më shumë se 90 filma dhe do të bëhej yll i kinemasë gjatë viteve 1950 dhe 1960.
Pasi mezi i mbijetoi një aksidenti me helikopter më 1991 dhe një sulmi në zemër më 1996, ai u fokusua shumë në aspektin shpirtëror dhe religjioz të jetës së tij.
Si aktor, ai ishte nominuar tri herë për çmimin Oscar, duke fituar një herë në kategorinë e ‘Arritjeve Jetësore’.
Aktori njihet edhe si humanist, pasi gjatë gjithë jetës është marrë me aktivitete për të ndihmuar të varfrit. Kohët e fundit, ai po planifikon dhurimin e 80 milionë dollarëve për kolegjin ku ai kishte diplomuar. Më 2012, ai i kishte dhuruar Universitetit të Saint Lawrence, ku ai ishte shkolluar, rreth 5 milionë dollarë.
Ai ka një martesë që tashmë ka mbushur 60 vite me gruan e tij Anne, e cila është gjithashtu producente. Nga kjo martesë çifti ka katër fëmijë, prej të cilëve më i moshuari është 72 vjeç. /gazetametro.net