Ka një vit që është bërë kryeministër, por Albin Kurti deri tani asnjëherë nuk ka zhvilluar vizitë në SHBA. E këtë kishte thënë se do e realizonte në nëntor të këtij viti, por më pas doli që kjo nuk do ndodhte, shkruan Gazeta Metro.
E se a do ndodhë ndonjëherë një vizitë e tillë, kanë folur edhe nga qeveria e Kosovës.
Zëdhënësi i kësaj Qeverie, Përparim Kryeziu, tha për klankosova se kjo vizitë do bëhet në pjesën e parë të vitit 2022.
”Kryeministri Kurti do të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vizita e paralajmëruar për në nëntor është shtyrë për në pjesën e parë të vitit të ardhshëm. Që nga marrja e detyrës, tetë muaj më parë, kryeministri Kurti ka zhvilluar vizita zyrtare në qendra të rëndësishme perëndimore si Bruksel, Paris e Vjenë e që do të vazhdojnë edhe në qendra të tjera vendimmarrëse përfshirë Washingtonin’’, tha ai.
Kujtojmë se me 20 shtator të këtij viti, Albin Kurti në Kuvendin e Kosovës kishte deklaruar se deri atëherë nuk kishte aplikuar për vizë pasi që nuk ka pasur synim të udhëtojë për në SHBA. Por ai në fjalimin e tij para dy muajsh, Kurti kishte thënë se udhëtimin për në Amerikë do ta bëjë në nëntor.
“Mirëpo, në SHBA do të udhëtoj në nëntor. Bëhet fjalë për koordinim të brendshëm që unë besoj që është i duhur dhe i mirë për shtetin tonë”, kishte thënë Kurti.
Për këtë udhëtim kishin folur edhe nga Qeveria e Kosovës, ku kishin thënë se kryeministri është duke planifikuar ta vizitojë së shpejti Amerikën, mirëpo që nuk kishin dhënë fare datë.
Ndërkaq Gazeta Metro me 3 nëntor kishte raportuar se Kurti e kishte të planifikuar të udhëtonte në nëntor për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, konkretisht në shtetin Iowa, siç ishte shprehur edhe vetë Kurti, por ky udhëtim nuk ndodhi pasi që Kurti nuk ka arritur të siguroj asnjë takim me zyrtarë të lartë amerikan, dhe në vend të tij ka udhëtuar zëvendëskryeministrja, Donika Gërvalla-Schwarz./gazetametro.net