Në mediat turke është përhapur lajmi se trajneri i ri i Galatasaray, Okan Buruk, ka folur privatisht në telefon me Vedat Muriqin, për ta bindur atë të transferohet në gjigantin turk. Megjithatë, këta të dy së bashku kishin kaluar kohëra të bukura tek Rizespor, transmeton Gazeta Metro.
Ishte sezoni 2018/19 dhe skuadra e Rizespor sapo ishte inkuadruar në Superligën e Turqisë dhe më 21 shtator 2018 kishte shkarkuar trajnerin e saj, Ibrahim Uzulmez, për ta emëruar pas tre ditëve Okan Buruk.
Buruk ashtu si Uzulmez i kishte besuar pozitën e titullarit sulmuesit kosovar, por ajo çfarë kishte treguar nën urdhrat e tij Vedat Muriqi kishte qenë e jashtëzakonshme.
Muriqi në atë sezon kishte treguar paraqitje të mrekullueshme me Rizespor, ku kishte qenë edhe golashënuesi i dytë më i mirë në elitën e futbollit turk.
Ai në 34 ndeshje kishte shënuar 17 gola dhe dhuroi tetë asistime, duke qenë një ndër lojtarët kryesor se përse skuadra kishte arritur të mbijetoi në Superligë.
Dhe siç duket Buruk e njeh shumë mirë klasin e gjigantit kosovar dhe me çdo kusht dëshiron ta ketë në ekip edicionin e ardhshëm dhe së bashku ta rikthejnë Galatasaray përsëri në majat e larta të ligës së Turqisë.
Galatasaray edicionin e kaluar kishte përfunduar në pozitën e 13’të me 52 pikë të grumbulluara nga 38 takime dhe ishte konsideruar si një ndër edicionet më katastrofale në histori të klubit. /gazetametro.net