Anësori i Real Madrid, Rodrygo, pritet që gjatë kësaj vere të vazhdoj kontratën me ‘Los Blancos’, derisa është raportuar se marrëveshja vetëm është arritur dhe në ditët në vijim do të bëhet gjithçka zyrtare. Mirëpo, tani kanë dalë edhe disa nga detajet e kontratës, transmeton Gazeta Metro.
Braziliani ka kontratë me kampionët e Europës deri në vitin 2025, por paraqitjet e tij të mrekullueshme sezonin e kaluar kanë bërë që drejtuesit madrilen të mendojnë ta ‘blindojnë’ futbollistin, duke rinovuar me të deri në vitin 2028.
Sipas të përditshmes spanjolle, ABC, në kontratën e tij të re Rodrygo do të ketë klauzolë largimi prej 1 miliard euro, e cila është një vlerë marramendëse. Ndërsa, përveç kësaj thuhet se do të ju rritet edhe paga nga katër (4) milionë në shtatë (7) milionë euro.
Në kontratë ai do të ketë edhe klauzolë bonusi për golat që do të shënoi dhe në rast se e fiton Topin e Artë do të ju rritet në tetë milionë euro.
Rodrygo konsiderohet si një ndër sulmuesit e rinj më të mirë në botë. Megjithatë, atij ju është dashur të kalojë një kohë në ‘Santiago Bernabeu’ për të treguar veten, gjë që e bëri gjatë stinorit të kaluar.
Ai kishte sezonin më të mirë të karrierës së tij, pasi arriti të realizoi nëntë gola dhe dhuroi dhjetë asistime në 49 ndeshje në të gjitha garat. Reprezentuesi brazilian ishte edhe një ndër lojtarët kryesor që ata triumfuan në Ligën e Kampionëve, pasi shënoi gola jetik në ndeshjet vendimtare. /gazetametro.net