KMDLNJ ka shprehur shqetësim e saj në lidhje me kërkesën e Shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova, për rishikimin e gjetjeve të Gjykatës Kushtetuese për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, përderisa është thënë që veprimi i saj është ndërhyrje në punët e kësaj gjykate.
“Insistimi i zonjës Apostolova për rishikim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin e Komunave serbe është ndërhyrje flagrante në Gjykatën Kushtetuese dhe si e tillë është e papranueshme dhe paraqet presedan shumë të rrezikshëm që bënë përpjekje që Gjykatën Kushtetuese ta shndërrojë në një mekanizëm për zbatimin e projekteve të dëmshme politike për Kosovën në kundërshtim me ligjet në fuqi dhe Kushtetutën të cilën duhet ta mbrojë Gjykata Kushtetuese”, thuhet në komunikatë.
Tutje është thënë që ky asociacion nuk është në shërbim të qytetarëve por është instrument legal për zbatimin e politikave të Beogradit në Kosovë.
“Vetëm nëse ky Asociacion formohet në bazë të rekomandimeve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe ligjeve të Kosovës mund të vazhdohet me themelimin e saj. Ndryshe, nëse zbatohet Marrëveshja e Brukselit për themelimin e Asociacionit në kundërshtim me rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe ligjeve të Kosovës, për çka duket se po angazhohet edhe zonja Apostolova si Shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë e cila po kërkon rishikimin e Gjykatës Kushtetuese atëherë, pa dyshim po e lejojmë themelimin e një entiteti politik dhe etnik serb brenda Kosovës në vartësi të Beogradit e që do të jetë shumë më i rrezikshëm dhe më i dëmshëm se Demarkacioni i Kufirit me Malin e Zi”, përfundon deklarata.