Loading…

Koferi i mërgimtarit që do të kthehet në arkivolin e demokracisë në Kosovë

  • Nga

  • VISAR DURIQI

  • 30/12/2025 | 17:21

Koferi i mërgimtarit që do të kthehet në arkivolin e demokracisë në Kosovë

Një fitore e mbështjellë me flamuj e valixhe mërgimtarësh, ku britma e votës tingëllon si triumf, por hap rrugën e një pushteti pa frena dhe një demokracie që nis të mbyllet në heshtje. E di që pak njerëz duan të dëgjojnë alarmin e zjarrit ndërsa ngrohen pranë flakëve të fitores, por mbi 50% nuk është kurorëzim: Është një test që mund të na lë sovranë, krenarë dhe krejtësisht të vetmuar.


Shkruan: Visar Duriqi

Dalldisjet e festës nën dehjen e RedBullave janë venitur tashmë nga asfalti i Prishtinës. Ata me jakne të bardha kane hipur nëpër veturat e tyre rent. Zhurma e fushatës është zëvendësuar nga një heshtje e rëndë që vjen pas një rezultati përfundimtar. Më 28 dhjetor, Kosova nuk foli thjesht; ajo lëshoi një britmë. Duke i dhënë Albin Kurtit përsëri krejt pushtetin. Mbi 50% të votave vetëkuptohet 100 % e pushtetit. Qytetarët i dhanë fund me çekan bllokadës dhjetëmujore që paralizoi vendin tonë gjatë vitit 2025.

Sot, në ajër ndihet një dehje kolektive. Brukseli, vetëm pak ditë më parë, tha se do ti heq masat ndëshkuese, duke krijuar iluzionin e përkryer: Lideri i fortë qëndroi i pamposhtur përballë botës, bota u tërhoq, dhe populli e kurorëzoi me një mandat absolut. Duket si akti final i tregimit tonë për pavarësi. Por, nëse dëgjojmë me kujdes jehonën e historisë, ky nuk është zëri i një demokracie që po piqet. Është zëri i një kombi që po hyn në një kurth të bukur e të praruar.

Historia është një korridor i gjatë me pasqyra që reflektojnë fytyrat e popujve që ranë në dashuri me imazhin e sfidës së tyre. Edhe imazhet e cpirruara duan që të jetojnë.

Robert Mugabe nuk lindi si tiran; ai lindi si shpresë. Ishte intelektuali dhe çlirimtari që i dha popullit të tij dinjitetin e kërkuar. Por, i dehur nga pushteti absolut dhe retorika e “sovranitetit të pastër” kundër Perëndimit, ai e ktheu krenarinë e popullit në letër pa vlerë. Ai i ushqeu ata me fjalime, ndërsa ekonomia e tyre vdiste nga hiperinflacioni. Ai i bindi se izolimi ishte çmimi, derisa liria e vetme që mbeti ishte ajo për të vdekur nga uria.

Viktor Orbani nuk përdori tanket; ai përdori kutitë e votimit. Pasi siguroi mandatet e tij të “pashpjegueshme”, ai filloi t’i gërryejë gjykatat, t’i zbusë mediat dhe ta rishkruajë kushtetutën derisa çdo institucion i shtetit u bë thjesht një altoparlant i partisë së tij. Sot, Hungaria është një shtet ku vota ekziston, por zgjedhja është iluzion.

Sllovakëve të viteve 90-ta nën Vladimír Mečiar-in iu premtu “sovranitet” dhe mbrojtje nga “diktati i jashtëm”, por përfunduan duke e kthyer vendin në një “vrimë të zezë” të Evropës, të izoluar dhe të harruar, derisa fqinjët ecnin përpara.

Sot, Kosova qëndron në qendër të kësaj galerie, duke menduar se fati ynë do të jetë ndryshe.

Ka një ironi të hidhur në këtë mandat absolut megjithatë.  Kjo fitore spektakolare nuk u ndërtua nga ata që djersijnë institucionet e biznesin privat kosovar, e as nga ata që presin në korridoreve të spitaleve tona të dërrmuara nga keqmenaxhimi. Ajo u ndërtua mbi koferat e Diasporës.

Të dhënat janë tronditëse deri tash. Del që rreth 16% e votuesve ishin banorë jo-rezidentë. Kur shtohen votat me postë dhe ndikimi financiar tek familjet e tyre që i mbajnë, rezulton se mbi 200,000 vota për Vetëvendosjen erdhën nga jashtë. Pa votat e Cyrihut, Ylmit, Mynihut dhe Vjenës, “mrekullia” e 50-përqindëshit zhduket; Kurti do të kishte mbetur dukshëm nën 40% të votës së banorëve rezidentë.

Kjo është një Pufff (Parti Fantazmë), nënumra: më e madhe se sa partia e dytë pas VV-së. Është e lehtë të votosh për ndryshim kur mban në xhep një pasaportë gjermane, zviceran… pasi që për ty nuk ndryshon asgjë. Mërgimtari vendos për ne dikë që përplaset me Perëndimin derisa fëmija i tij përfiton benefitet e të jetuarit në stabilitetin e po atij Perëndimi. Mërgimtari vjen për pak ditë, i palon valigjet dhe kthehet në rehatinë e shteteve funksionale. Ai na le peshqesh një regjim me të cilin ne duhet të jetojmë. Ky kofer i mërgimtarit po kthehet në arkivolin ku po varroset mundësia e një demokracie të shëndoshë brenda Kosovës.

Ne dëgjojmë çdo ditë premtime për “sovranitet të plotë”, por realiteti është një koktej i hidhur. Edhe sot, kur kryeministri flet për pushtet absolut, mbi 6,000 metra lartësi hapësira jonë ajrore kontrollohet nga Hungaria, ndërsa siguria e ajrit tonë mbetet në duart e NATO-s.

Si mund të premtohet sovranitet i pakushtëzuar kur vetë kufijtë e shtetit tonë ruhen nga ushtarë që paguhen nga Washingtoni dhe Londra? Kur hapësira jonë ajrore menaxhohet nga zyrat e huaja sepse ne nuk kemi as kapacitete e as leje ta bëjmë vetë?

Të qëndrosh mbi supet e NATO-s dhe të ulërish kundër “ndërhyrjes ndërkombëtare” nuk është trimëri; është trullosje kolektive. Është sikur të jetosh në një shtëpi ku çatinë dhe muret t’i mbajnë fqinjët, ndërsa ti i ofendon ata nga dritarja.

Duke i dhënë një partie kontrollin total, ne i kemi hequr frenat makinës. Një lider i rrethuar vetëm nga duartrokitjet, fillon t’i ngatërrojë dëshirat e veta me Vullnetin e Shtetit.

E di që pak njerëz duan të dëgjojnë alarmin e zjarrit ndërsa ngrohen pranë flakëve të fitores. Por mbi 50% nuk është kurorëzim: Është një test që mund të na lë sovranë, krenarë dhe krejtësisht të vetmuar.

Në këtë peizazh të ri politik, opozita nuk është më një rival; ajo është një relikt. PDK, LDK dhe AAK, të mbetura nën hijen e 50-përqindëshit, rrezikojnë të kthehen në dekor parlamentar që flet në shurdhim, ndërsa makineria e Vetëvendosjes kalon çdo ligj me shpejtësi marramendëse. Mediat, tashmë të goditura nga fushata linçimi dhe ligje disiplinuese që mund të kalohen shpejt, do të gjenden para një zgjedhjeje brutale: të bëhen megafonë të pushtetit ose të shuhen nën presionin e “të vërtetës zyrtare”.

Dhe këtu lind dilema që duhet të na lë pa gjumë: Kur Albin Kurti ta marrë të gjithë pushtetin—kur Parlamenti, Qeveria dhe Presidenca të jenë një mendje e vetme, dhe kur Gjykata Kushtetuese të shihet si “pengesa e fundit e regjimit të vjetër”—ku do të ankohet qytetari?

Nëse edhe të fundit institucione të pavarura që kanë mbetur humbin aftësinë për kontroll balancues mbi Qeverinë dhe nëse mediat humbin zërin, qytetari i Kosovës do të mbetet i vetmuar përballë një shteti që nuk gabon kurrë, sepse “Populli”- Diaspora, kështu ka vendosur.

Kur pushteti nuk ka nevojë ta ndajë karrigen me askënd, ai pushon së ndieri nevojën për t’u dhënë llogari atyre që janë poshtë karriges. Ne po ndërtojmë një sistem ku ankesa do të konsiderohet herezi, dhe ku e drejta do të jetë vetëm ajo që vuloset në zyrën e Kryeministrit.

Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë