Loading…

Koha e Ramës për politikë të re të jashtme të Shqipërisë

  • Nga

  • MENTOR NAZARKO

  • 25/06/2021 | 08:15

Koha e Ramës për politikë të re të jashtme të Shqipërisë

Jo të gjithë të këqiat bëjnë dëm, thotë një fjalë e urtë italiane. Për një Shqipëri që në janar bëhet anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së; pasi ka drejtuar OSBE-në; që ka pritur manovrat më të mëdha të NATO-s në historinë e saj; që po vendos në punë një bazë të rëndësishme të kësaj organizate në Kuçovë, do të ishte ideale të kishte një datë për shkelmin fillestar të procesit të anëtarësimit në BE.


Shkruan: Mentor Nazarko

Edhe për kryeministrin më jetëgjatë të pluralizmit shqiptar do të ishte ideale ta shënonte emrin edhe në këtë proces. Shqipëria dhe Rama nuk e mori datën: mirpo rrethanat për politikën e jashtme të Shqipërisë mbeten prapëseprapë të favorshme, ndonëse lojtari kryesor, kryeministri Rama është i njëjti.  Për koincidencë, para pallatit Elize, kryeministri Kurti theksoi një qasje tjetër: realiteti i ri, ka përbërës të rinj; dhe jemi në një situatë e re; ndërkohë që  nënpërfaqësimi i një shteti nuk mund të jetë peng i rrethanave historike.

Ç’duhet të bëjë Rama në këto rrethana, kur për shkak të jetëgjatësisë së tij në krye të vendit, netuorkut të konsoliduar të miqve në tryezat e fuqishme, kësaj pozite të re ndërkombëtare të vendit të vet,  megjithë vjetërimin e këshillimit të tij rajonal dhe lodhjen e vetëkuptueshme prej tyre, reduktimin e mendjeve të reja pranë tij, të rishpikë për mirë veten e tij dhe kombin e tij dhe në politikën e jashtme?  Pra si të kemi një Ramë të ndryshuar, dhe një politikë të re të jashtme të kombit, që të shtohet respekti dhe frika ndaj saj?

Së pari, Rama duhet të rinovojë flotën e idedhënësve të vet, që kanë ngushtuar rrethin e miqve të tyre dhe të numrit një të Shqipërisë me qasjen e tyre sektare dhe të prapambetur; kanë helmuar atmosferën ndërshqiptare; kanë ndryshkur kanalet e komunikimit dhe kanë humbur referencat njerëzore në territor. Me të njëjtët ingredientë, me të njëjtat receta, pa libra kuzhinierësh të rinj do të bësh të njëjtën gjellë. Gjella e vjetër është e mërzitshme.

Së dyti, por e para për nga rëndësia, Ramës i duhet të zbatojë mësimin e Skënderbeut për djemtë e vet para vdekjes me thuprat. Liderët feudalë shqiptarë anembanë Ballkanit janë njëlloj xhelozë, njëlloj ziliqarë për njeri tjetrin si në kohën e Skënderbeut, në Shqipëri, në Kosovë, në Mal të Zi, Serbi apo Maqedoni.  Rama duhet t’ i kontribuojë fuqishëm bashkimit. Le ta mbajë fjalën që shpalli poshtë monumentit të Skënderbeut, për një erë të re në politikën shqiptare, erë pajtimi dhe bashkëpunimi dhe t’ i shërbejë kësaj fryme dhe jashtë kufijve tanë kombëtarë. Nëse dy vjet më parë Makron nuk pranonte që Maqedonia të çelte negociatat, pa Shqipërinë, se „nuk donte të hidhëronte një komb që jeton në katër shtete“, Rama duhet ta kuptojë se forca e shqiptarëve për sytë e Makronit dhe të botës është e madhe, kur jemi bashkë. Veç e veç, jemi të parëndësishëm, jemi të dobët, jemi humbës jemi të dëmshëm për veten dhe për Perëndimin. E ka thënë dhe Skënderbeu dhe Makroni.

Për ta bërë këtë, Ramës i duhet të rinovojë tërësisht një sërë konceptesh, personazhesh dhe realitetesh në hapësirën ballkanike ku jetojnë shqiptarët. Pasi të ndërrojë softuerin, duke ruajtur të njëjtat qëllime, Shqipërisë dhe kreut të saj, i duhet të ndërrojë politikën e saj të jashtme.

Rama duhet të farkëtojë me çdo kusht një miqësi të re me Kurtin…

…Ose të tregojë se i doli borxhit miqësisë nëse nuk e ndërton dot. Pse? Sepse Dialogu me Serbinë,  është rast unik i maksimizimit, apo i dobësimit të fuqisë sonë kombëtare. Ai duhet administruar si komb, ndaj Shqipëria dhe Kosova duhet të jenë bashkë. Jo proceduralisht, jo formalisht, dhe as në aventurat e njeri tjetrit për t’u përplasur me Perëndimin, por për të rritur fuqinë e kombit. Rama duhet të kalojë shumë kohë me Kurtin, si kalonte me Thaçin, ndonëse është e pamundur të arrihet aq „ngrënie kripe“, si thotë një fjalë e urtë. Kësisoj duhet të ngushtohen diferencat personale,të konvergjohen qasjet në mexhlis, në takime shumëpalëshe, të qetësohen paranojat, të korrigjohen gabimet e bashkëpunimit me Thaçin në funksion të dialogut. Nuk ishte gabim qasja kombëtare kur dikur bashkëpunohej me ish presidentin sot në Hagë, por menaxhimi i marrëdhënieve me sivëllezërit e tjerë. E njëjta ndërmarrje vëllazërie si me Thaçin duhet tentuar me Kurtin, dhe populli i Kosovës duhet ta ndjejë këtë. Nëse është e pamundur- pa bërë Kasandrën-, populli i Kosovës gjithashtu duhet ta kuptojë se kush prej vëllezërve e ka fajin. Kurtit i duhet shpjeguar se 20 vjetët e shkuar kot, pa mbledhur prova për krimet serbe, pa regjistër të  dëmeve, të vrarëve, të dhunuarve, pa prokurori speciale, pa padi kundër serbëve në Dhomat e Specializuara, nuk mund të barazohen me një padi të ngutshme të Shqipërisë ndaj Serbisë, kur Perëndimi nuk e do një gjë të tillë. Problemet që Kosova ka me Serbinë mund të zgjidhen vetëm me marrëdhënie normale mes tyre dhe jo me beteja retorike që përsëriten prej 20 vjetësh. Nga konfliktualiteti fiton vetëm Serbia dhe Perëndimi që don të zgjidhë konfliktin, vetëm ftohet me ne. Nga statuskuoja dhe kokëfortësia jonë fiton Serbia dhe jo ne. Po ashtu, Kosova duhet ta kuptojë se nuk e ka luksin si në lojën e vajzave me lulet, të ndërrojë dashuritë për presidentët amerikanë: Trumpin s’ e dua; Bidenin e dua; Bidenin s e dua.. etj. Dikur Perëndimi lodhet me ne…si thoshte ambasadori Kosnet para dy ditësh.

Koha e partive monoetnike shqiptare mbase ka mbaruar…

Që në fillim të viteve 2000, ELIAMEP, Salloni, por dhe Instituti më i rëndësishëm i politikës së jashtme greke i sugjeronte qeverisë të mos mbështetej më tek PBDNJ, por tek politikanët grekë në partitë e mëdha shqiptare. Kur klima ndëretnike është e acaruar, partitë nacionale duhen, sepse kanë kauza. Përndryshe, duhet ndërruar muzika.

I njëjti arsyetim vlen për partitë monoetnike shqiptare në Serbi e Mal të Zi. Çfarë i kanë sjellë  dhjetra partitë  shqiptare për 60 a 70 mijë shqiptarë në këto dy vende, kur popullsia po tretet vazhdueshëm deri në asgjësim? E ky asgjësim nuk po ndodh gjatë ndonjë Lufte botërore apo pas saj, por kur Kombi ka dy shtete. Në të dy këto hapësira shqiptare, populli duhet pyetur me referendum: sa parti i duhen? 10  sa ka në Mal të Zi dhe Serbi, apo vetëm dy për seicilën? Një politikan si Dritan Abazoviçi, i përzënë prej këtyre partiçkave, listave feudale, apo listave personale si janë shndërruar sot, arriti me fuqinë e vet, me një parti jo etnike, shumë më shumë sesa këto lista të mbledhura së bashku:  mundësoi rotacionin pas 30 vjetësh; detyroi filoserbët të mos tërheqin njohjen për Kosovën, mbetjen në NATO të Republikës së vogël, aplikimin për BE dhe konsiderimin e genocidit të Srebrenicës.  Ky njeri po e aplikon bashkëjetesën me presidentin legjendar Gjukanoviç me një stil politik unik për viset tona. Po i rikthen pronat e shqiptarëve të Ulqinit, etj, etj. Ndaj Shqipëria urgjentisht duhet ta rishikojë marrëdhënien me të; duhet të nxisë grupimin e feudalëve që mbeten në një apo dy lista partiake.Dhe kjo kryhet nëpërmjet karotës së financimeve për projekte kombëtare, librari, kërkime historike, projekte bujqësore, infrastrukturës së përbashkët  Velipojë-Ulqin, etj, etj.

Shqipëria duhet fuqishëm të bëjë të njëjtën gjë dhe në Jug të Serbisë. Partiçkat shqiptare nuk kanë arritur thuajse asgjë, veç retorikës që mallëngjen patriotët në rrjet, duke shërbyer si dekor pluralizmi për Vuçiçin. Vetëm 25 diploma të Shqipërisë  janë njohur nga Serbia në 30 vjet; popullsia është reduktuar 70%, edhe nëpërmjet kartës së pasivizimit; feudalët e dy komunat e tjera e luftojnë Medvegjën që tkurret, se është e vogël, ndërsa ajo është zvogëluar prej serbëve, duke patur një sipërfaqe sa të dy të tjerat bashkë.  Flitet për Luginë të Preshevës, ndërkohë kur shqiptarë ka dhe në komuna të tjera në krejt Serbinë. Nëse Kurti nuk e imponon dot statusin e shqiptarëve në dialog me kartën e reciprocitetit, Shqipëria duhet të ndikojë fuqishëm në riorganizimin njësoj të partiçkave shqiptare atje, dhe pse jo nxitjes së bashkëpunimit me opozitën serbe. Karota është financimi dhe një mekanizëm i ri i menaxhimit të këtij financimi: një Trupë Koordinuese me përfaqësues të Kosovës dhe Shqipërisë apo Maqedonisë, me vetëm një parti. Jo para që financojnë fushatat elektorale të këtyre partizave apo shtëpizave politike feudale në shekullin e 21. Pse jo, duhet konsideruar dhënia e shtetësisë së Shqipërisë për të problematizuar spastrimin etnik të tyre nëpërmjet pasivizimit.

Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia në një marrëdhënie të re

Në koniunkturën e re të përplasjes me Bullgarinë, shqiptarët në të dy shtetet, duhet t’ i gjenden afër Maqedonisë. Jo pa kthim sigurisht. Pse ne nuk kemi as si Shqipëri dhe as si Kosovë traktate miqësie dhe bashkëpunimi reciprok me republikën aq shumë të kompleksuar nga fqinjët e tjerë, Greqia, Bullgaria, Serbia, Rusia nëse doni, etj?  Kur ato mendje sllavomaqedonase që bënë kushtetutën e 1992-it, po bëjnë studime për çetat antiturke shqiptaro-maqedone,  si shenjë pendese, pse ne nuk po i shtrijmë dorën e miqësisë së përjetshme popullsisë fqinje,  një një traktat dy apo tre palësh? Ky traktat  duhet të parashikojë Korridorin e përbashkët  8 që nis nga porti i Vlorës e që mund të ndërtohet po bashkë; nga zonat e lira ndërkufitare; nga garancitë për mosdiskriminim të popullit shqiptar në Maqedoni, etj, etj. BDI është përpjekur të jetë pajtuese me partitë e tjera shqiptare dhe ato maqedonase,falë urtësisë së Ali Ahmetit, por ka vend që dhe ajo të rishpikë veten, nëse nuk do që të tretet progresivisht… Shqipëria duhet të ndihmojë…si në tryezën e Tiranës.

Ka vend dhe për politikë të re ndaj Greqisë. Precedenti bullgar ndaj Maqedonisë është problematik nëse ndiqet dhe prej Greqisë ndaj nesh në vitet që vijnë. Do e qajmë mungesën e marrëveshjeve me qeverinë e Ciprasit, dhe detanta në marrëdhëniet me Greqinë, nuk është baraz me përparim në këto marrëdhënie.

Këto ishin disa pista për një politikë të re të jashtme të Shqipërisë, në rrethanat e reja, me një lojtar të vjetër, me shumë fat, që duhet të tregojë se mundet ta ribëjë veten dhe kombin e tij, duke u bërë më i respektueshëm, më efektiv dhe më frikësues. Koha punon për ne, por ajo ikën shpejt.

(Autori Mentor Nazarko është analist i shtypit periodik dhe i mediave prej një kohe të gjatë)

Më të fundit
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë