Më 15 nëntor të vitit të kaluar, kryeministrit Albin Kurti kishte deklaruar se mbrojtja e të akuzuarve ne Hagë është punë edhe e qeverisë, e sidomos e qeverisë.
Në deklaratën e tij, Kurtit kishte thënë se shteti i Kosovës duhet ta organizojë e ta koordinojë mbrojtjen e të pandehurve, pasi në Hagë nuk janë duke u përndjekur vetëm individët.
“Në Hagë, nuk janë duke u përndjekur vetëm individët, por as nuk mund të mbrohen të pandehuri vetëm si individë. Shteti i Kosovës duhet ta organizojë e ta koordinojë mbrojtjen e të pandehurve. Ata e pamë se i kanë avokatët e tyre secili, mirëpo nevojitet bashkërendimi nga shteti. UÇK nuk ka qenë e asnjërit por e të gjithëve dhe që të gjithë duhet ta mbrojmë atë, me fjalë të tjera kjo është punë edhe qeverie, kjo është sidomos punë qeverie”, kishte deklaruar Kurti.
Madje, Kurti kishte kritikuar Qeverinë Hoti që si pikë të parë kishte eliminimin e task forcës kundër korrupsionit e jo mbrojtjen e UÇK-së në arenën ndërkombëtare dhe në Gjykatën Speciale.
“Është qeveria e Kosovë ajo që duhet të angazhohet për sintezën e përfaqësimit dhe mbrojtjes në këtë proces, mbrojtja dhe përfaqësimi duhet të bash rëndohet dhe të sintetizohen për fat të keq në këtë kohë të vështirë Kosova nuk ka një qeveri që mund ta bëjë këtë. Kjo qeveri e paligjshëm që nga fillimi varej prej secilit deputete të Listës Serbe e që tashmë është vetëm qeveri e pakicës që po tkurret çdo ditë, nuk mund ta mbrojë e shpëtoj as vetveten e lëre më dikon tjetër, e keni parë se si preokupimi i saj në këtë muaj ishte eliminimin i Task Forcës e kundër korrupsioni e jo mbrojtja e UCK në arene ndërkombëtare dhe në Gjykatën Speciale. Ne duhet të jemi bashkë për luftën tonë Çlirimtarë dhe kundër Serbisë e cila nuk na njeh sepse është e papenduar për krimet e kryera. Janë bërë shumë gabime në të kaluarën në Kosovë, nuk kemi pse të bëjë gabime tjera”, kishte thënë Kurti.
Kur kanë kaluar gati një vit prej kësaj deklarate, lideri i VV’së tashmë është Kryeministër e për zëvendëse të tij ka Donika Gërvallën, e cila kohë më parë kishte thënë se sapo t’i jepej rasti, do të dorëzojë materiale në Gjykatën Speciale, gjykatë kjo që po i gjykon krerët e UÇK’së.
“Brenda mundësive që kam patjetër që po. Po kam material. Kemi kryetar të parlamentit që unë e quaj më të turpshme se sa Thaçi që është president. Gjithë bota e di kush është Kadri Veseli dhe gjithë bota e di kush është Hashim Thaçi. Kadri Veseli ka qenë koka e organizatës që ka bërë krime ndaj kundërshtarëve politikë”, kishte thënë Gërvalla në Dukagjin e pyetur nëse do të dorëzojë materiale në Speciale.