Loading…

Komisioni Evropian përsërit çdo vit rekomandimet e njëjta për Kosovën

  • 08/06/2019 | 17:09

Komisioni Evropian përsërit çdo vit rekomandimet e njëjta për Kosovën

Ka vite që një numër i konsiderueshëm rekomandimesh, përsëriten në raportet e përvitshme të Komisionit Evropian (KE), për Kosovën, transmeton Gazeta Metro.


Ngjashëm me disa prej raporteve të kaluara, edhe këtë vit, Raporti i Vendit për Kosovën, i këtij institucioni të Bashkimit Evropian (BE), ndër të tjera, shpreh shqetësimin për ndikimin e politikës në sistemin e drejtësisë, nivelin e lartë të përhapjes së korrupsionit, ekonominë joformale e ngecjen në reformën zgjedhore.

Në shumicën e këtyre fushave, sipas raportit, është shënuar përparim i vogël. Ndërsa, shumë prej rekomandimeve, për secilin nga institucionet përgjegjëse, mbesin të paadresuara.

Përsëritja e rekomandimeve, për shkak të mosadresimit të tyre nga institucionet, sipas shoqërisë civile, është shqetësuese dhe tregon mungesë serioziteti e përkushtimi.

Taulant Kryeziu nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), tha për Radion Evropa e Lirë, se përfaqësuesit shtetërorë “duhet t’i marrin me shumë seriozitet kërkesat dhe rekomandimet e Bashkimit Evropian”, pasi, sipas tij, “pa adresimin e tyre, nuk mund të ketë lëvizje përpara në proceset integruese”.

“Gjuha (e raportit) vazhdon të mbetet e njëjtë, ku drejtësia vuan nga ndikimi i politikës. Ne kemi pa në rezolutën e nëntorit të Parlamentit Evropian, që Kosova është një shtet i kapur, ku korrupsioni është i përhapur në të gjitha institucionet. Prapë gjuha sa i përket korrupsionit, është e njëjtë në Raportin e Vendit, prandaj asgjë të mos i befasojë udhëheqësit institucionalë. Mirëpo, duhet ta kuptojnë një gjë, pa adresimin e këtyre kërkesave që ka Bashkimi Evropian, ne nuk mund të ecim përpara, as në procesin teknik të vizave, mirëpo as në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian, e kjo i bie aplikimi për statusin e vendit kandidat”, thotë ai.

Ndërsa, Arbëresha Loxha, drejtoreshë ekzekutive në Grupin për Studime Juridike dhe Politike, tha se mosadresimi i kërkesave dhe rekomandimeve në Raportin e Vendit, për vite me radhë, po e largon Kosovën nga synimi për integrim në Bashkimin Evropian.

“Raporti i fundit nuk dallon shumë prej atyre paraprakë. Nuk na ka sjellë asnjë befasi. Në shumicën e sektorëve raporti vëren që progresi i Kosovës është i papërfillshëm, dhe mesazhet dhe kërkesat e BE-së ndaj Kosovës mbesin të njëjta me vitet e kaluara. Pra, të gjitha kërkesat dhe mesazhet e BE-së po na përsëriten, dhe rekomandimet, pothuajse, vazhdojnë të mbesin të njëjta. Kjo përveçse reflekton paaftësinë e institucioneve të Kosovës, që me përgjegjshmëri t’i adresojnë çështjet e viteve të kaluara, është njëkohësisht sinjal që Kosova është duke u larguar nga objektivi i saj themelor, anëtarësimi në Bashkimin Evropian”, thekson Loxha. Rel./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë