Loading…

Komisioni Evropian: Shqipëri duhet të diversifikojë urgjentisht rrymën nga hidrocentralet

  • 18/06/2019 | 16:10

Komisioni Evropian: Shqipëri duhet të diversifikojë urgjentisht rrymën nga hidrocentralet

Shqipëria ka casje të moderuar në sektorin e energjisë, sipas raportit më të fundit të Komisionit Evropian mbi përafrimin e vendit me acquis të Bashkimit Evropian.


Në vitet në vijim, Shqipërisë i duhet të diversifikojë prodhimin e rrymës nga hidrocentralet dhe të promovojë burime tjera të energjisë alternative në pajtim me standarde ndërkombëtare, ndër të tjera.

Ndryshe, duke qenë vend i pasur me ujëra, 96% të prodhimit të rrymës Shqipëria e ka të bazuar në hidrocentrale, që jo gjithmonë arrijnë të prodhojnë sasi të mjaftueshme energjetike për të mbuluar kërkesën në rritje për rrymë në vend.

Si rrjedhojë, Shqipëria, njashtu si Kosova, në periudha të ndryshme kohore, përballet me mungesë të dukshme të energjisë elektrike dhe me probleme të furnizimit me energji elektrike për konsumatorët fundorë.

Gjendja vështirësohet edhe më shumë gjatë verës, atëherë kur bie niveli i të rreshurave dhe sasive të ujit në vend.

Shqipëria është importuese e energjisë elektrike dhe sigurimi i furnizimit me energji elektrike është sfida kryesore e sektorit.

Strategjia kombëtare e energjisë e Shqipërisë 2018-2030 është miratuar, vë në dukje kapitulli 15 i raportit të Komisionit Evropian. Megjithatë, vendi ka vonuar reformat e tregut të energjisë elektrike dhe duhet të përshpejtojë zbatimin e reformave të kycjes, duke larguar pengesat ligjore dhe kontraktuale për integrimin e tregjeve të energjisë, sipas Komisionit Evropian.

Ndryshe, Shqipëria tani më ka të ndërtuar linjën e interkoneksionit me Kosovën, ani pse e njejta ende nuk është funksionalizuar për shkak të problemeve politike të ndërlidhura me Serbinë.

Kjo linjë do të shërbejë për shkëmbimin e rrymës në mes Kosovës dhe Shqipërisë, me c’rast dy vendet do të ndihmojnë njëra tjetrën për të siguruar furnizimin e rregullt me energji elektrike për konsumatorët fundorë, në periudha të ndryshme kohore.

Ndërtimi i termocentralit të ri në Kosovë dhe funksionalizimi i tij gjatë vitit 2023, do të ndihmojë edhe furnizimin e rregullt me energji elektrike në Shqipëri, duke shfrytëzuar dhe funksionalizuar kështu linjën e ndërtuar të interkoneksionit.

‘Kosova synon të tejkalojë pengesat dhe të sigurojë furnizim të besueshëm e me cilësi të lartë me energji elektrike për të mundësuar zhvillim ekonomik dhe social në vend. Kjo pritet të arrihet duke krijuar tregun e përbashkët dhe funksionalizimin e interkoneksionit 400 kV me Shqipërinë, si dhe me ndërtimin dhe vënien në funksion të termocentralit “Kosova e Re”’, ka postuar Ministria e Zhvillimit Ekonomik në faqet e saja në rrjete sociale.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë