Loading…

Kompania turke e dhëndrit të Erdoganit po i falimenton dy ndërmarrje kosovare

  • 18/05/2022 | 18:53

Kompania turke e dhëndrit të Erdoganit po i falimenton dy ndërmarrje kosovare

Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), në pronësi të kompanisë turke ‘Limak&Calik”, posedon një borxh të akumuluar – përfshirë interesin – në vlerë prej 84 milionë eurove ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).


Sipas raportit vjetor financiar të KEK-ut për vitin 2021, kompania private KESCO ka paguar vetëm një milion euro nga borxhet e papaguara që i obligohet ndërmarrjes publike të prodhimit të energjisë elektrike.

KESCO, e cila është në pronësi të ‘Limak&Calik’, të cilët e kishin privatizuar këtë ndërmarrje së bashku me KEDS-in në vitin 2013 për 26.3 milionë euro, vazhdon të jetë me vonesë në kryerjen e obligimeve financiare ndaj KEK-ut, thuhet në raport.

“KESCO nga gjithsej €84.5 milion borxh i akumuluar përfshirë interesin, ka paguar vetëm €1 milion, vazhdojnë të jenë me vonesë në pagesën e obligimeve për faturat e rregullta të energjisë nga gjysma e muaji Shtator 2021 e deri në datën e këtij raporti”, thuhet në raport, raporton Paparaci.

Përpos obligimeve financiare të pashlyera ndaj KEK-ut, KESCO trashëgon një borxh të akumuluar milionësh edhe ndaj KOSTT-it, operatorit të sistemit të transmisionit dhe tregut.

Paparaci ka mësuar nga burime të mirinformuara se KESCO posedon një borxh të papaguar prej mbi 70 milionë eurosh ndaj KOSTT-it, një ndërmarrje publike e cila cenohet nga falimentimi.

KOSTT-i, në fillim të këtij viti ka paralajmëruar Qeverinë e Kosovës se pagesat që ndërmarrja realizon për energjinë elektrike të shpenzuar në veri, janë duke e çuar atë drejt falimentimit.

Sipas tyre, kostoja e humbjeve në pjesën veriore gjatë vitit 2021 ka arritur vlerën prej 40,849,659 euro.

“Detyrimi i vendosur nga ZRrE përmes Licencës për Operatorin e Sistemit të Transmetimit për mbulimin e humbjeve në pjesën veriore të Kosovës duke mos përfshirë të hyrat për koston e kësaj energjie e ka sjellë KOSTT-in në prag të falimentimit”, thuhej në komentin e KOSTT-it.

Kësisoj, borxhi i papaguar i KESCO-s ndaj KOSTT-it e rëndon funksionimin financiar të ndërmarrjes, raporton Paparaci.

Të pyetur nga Paparaci rreth borxheve të papaguara të KESCO-s, në fund të muajit prill të këtij viti zyrtarë të KOSTT-it thanë përmes një përgjigje me shkrim se nuk mund të ndajnë me publikun informata rreth obligimeve financiare të kompanisë në pronësi të afaristëve turq.

“Bazuar në legjislacionin primar dhe sekondar, informatat e kërkuara nga ana e juaj konsiderohen si informata konfidenciale dhe të ndjeshme nga aspekti komercial”, tha një zyrtar i KOSTT-it, në një përgjigje ndaj kërkesës së Paparacit për detajet e borxhit nga KESCO.

‘Limak&Calik’ është një kompani turke e cila privatizoi distribucionin dhe rrjetin e energjisë elektrike në Kosovë më 2013. Ajo është në bashkë-pronësi të Ahmet Çalik, dhëndrit të Rexhep Taip Erdoganit, presidentit të Republikës së Turqisë.

Në fillim të këtij viti, Paparaci raportoi për një skandal tjetër në të cilin u përfshi një kompani tjetër në pronësi të ‘Limaj&Calik’.

KEDS-i, Kompania Kosovare për Distribuimin e Energjisë, është duke refuzuar që të bëjë kalibrimin e njehsorëve elektrik të konsumatorëve, ashtu siç obligohet më ligj, nxori në pah një hulumtim i Paparacit.

KEDS, duhet që çdo gjashtë vjet secilin njehësor ta dërgojë për testim për të parë apo rregulluar faturimin në bazë të konsumit.

Se konsumatorët nuk kanë përvojë të mirë me faturim, pretendohet edhe në një aktakuzë të ngritur vite më parë nga Prokuroria kundër disa zyrtarëve me pretendimin se është faturuar më shumë sesa shpenzuar me njehsorët “Kohler”.

Më 6 tetor 2015, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte akuzuar Vjollca Ajvazin dhe Drita Hamitin, në cilësinë e zyrtareve të Agjencisë së Metrologjisë dhe Avni Alidemajn, në cilësinë e drejtorit ekzekutiv të rrjetit të KEDS-it.

Prokuroria pretendon se gjatë intervalit kohor mars 2013 deri më 5 dhjetor 2014, të akuzuarit kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, duke u mundësuar kompanive “Kohler” dhe “KEDS” të përfitojnë dobi pasurore dhe të njëjtën kohë t’iu shkaktojnë dëm material konsumatorëve kosovarë.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë