Komuna që udhëhiqet nga Agim Bahtiri, ka trashëguar një borxh ndaj kompanisë INFRAKOS, pasi ajo kishte shfrytëzuar një pronë, për të cilën kishte kontratë që obligonte Komunën e Mitrovicës të paguante këtë qira, shkruan Gazeta Metro.
Por, çka është e çuditshme, qiraja për këtë pronë do të paguhet nga Komuna, ani pse kjo e fundit nuk përfitoi asgjë. Bile, për ekzistencën e kësaj kontrate, kryetari Bahtiri tha se tash po dëgjon për herë të parë.
“Edhe pse po shihet qartë se komuna është dëmtuar me këto kontrata materialisht, komuna do t’i përmbush obligimet ligjore ndaj INFRAKOS-it. Jemi të gatshëm që të bashkëpunojmë për të mirën e qytetarëve dhe të ju ofrojmë mbështetjen tonë sa herë që ju kërkoni”, ka thënë Bahtiri.
Këto u thanë sot, pas një takimi që Agim Bahtiri kishte me zyrtarë të kësaj kompanie. Nexhat Dedia, drejtor i Bordit, Rrahim Tërnava, drejtor i Zyrës Ligjore dhe Pronës dhe Agim Emini, zyrtar ligjor, ishin ata me të cilët Bahtiri ka biseduar për bashkëpunimin e ndërsjellë mes Komunës dhe INFRAKOS-it./gazetametro.net