Loading…

Komunikata ku sulmohet rëndë Rugova: Ti Hashim i shkove në varrim, e more në Rambuje

  • 31/01/2021 | 20:44

Komunikata ku sulmohet rëndë Rugova: Ti Hashim i shkove në varrim, e more në Rambuje

Një komunikatë e Vetëvendosjes e 19 dhjetorit 2006 po bën sërish jehonë. Në këtë komunikatë sulmohet Hashim Thaçi për arsyen se ishte bërë si… Ibrahim Rugova. Kjo mund të jetë një komunikatë domethënëse në kontekstin në të cilin ndodhemi.


Thaçi ndër tjerash sulmohej ashpër edhe prë arsyen që kishte pranuar që të në konferencën e Rambujesë të ishte edhe Ibrahim Rugova, i cili cilësohet si “njeriu që kurrë nuk e njohu UÇK-në.”

Po ashtu, Thaçi sulmohet në mënyrë çnjerëzore edhe për arsyen banale që kishte marrë pjesë në varrimin e presidentit historik

“Në varrimin e Rugovës nuk ishte familja Jashari, nuk ishte Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe nuk ishin edhe shumë bashkëluftëtarë e atdhetarë të cilët e dinin dëmin politik që Kosovës i bëri Rugova e rugovizmi. Por ti ishe aty dhe nuk të vinte fare turp sepse tani më nuk dalloheshe nga ai. Jo vetëm që flisje si ai, por tani ishe mësuar që edhe të silleshe si ai. Të ka mbetur vetëm edhe gur të fillosh të shpërndash.” – shkruan Vetëvendosje, përcjell Periskopi.

Kurti së fundi edhe vetë e ka vizituar varrin e presidentit Rugova. Ndërkohë, Vjosa Osmani për ironi është larguar nga LDK me arsyen se kjo e fundit nuk ishte mjaftueshëm rugoviste.

Më poshtë keni komunikatën e plotë:

Gjaku i humbur

Shkelja e betimit ushtarak nuk mund të cilësohet ndryshe pos tradhti kombëtare. E për tradhti dihet se cili do duhej të ishte dënimi. Ti, Hashim, u betove se do të luftosh deri në çlirimin përfundimtar të atdheut, e në anën tjetër shkove në Rambuje dhe e nënshkrove kapitullimin. Me nënshkrimin tënd e pranove sovranitetin dhe integritetin e Serbisë mbi Kosovën. Ti e bëre këtë sepse tashmë Adem Jashari kishte shkuar në përjetësi. Përndryshe, po të ishte gjallë, do të të vriste me dorë të vet. Botërisht dihet se që nga viti 1993 ti nuk u takove asnjëherë me Adem Jasharin. Ti në Kosovë u ktheve vetëm pas rënies heroike të tij dhe familjes së tij. Cili nga ju shokët e mëhershëm iu ndodhët pranë në momentet e flijimit të komandantit? Asnjëri. Ai luftoi së bashku me familjen e tij dhe me dajën Osman, që nuk iu nda kurrë. Ti dhe shumë të tjerë që sot thirreni në emrin e tij për përfitime personale, në atë kohë ndodheshit nëpër qytetet perëndimore me arsyetimin tashmë të mirënjohur: ‘shokët më dërguan me detyrë në Zvicër’. Ti që shkele mbi gjakun e Adem Jasharit dhe të gjithë dëshmorëve e martirëve tjerë, është turp që ta përmendësh emrin e tij. Është turp që ta keqpërdorësh fotografinë e tij. Ti edhe Ibrahim Rugova e keni vetëm një dallim, një dallim të vogël. Ai ishte kolaboracionist sepse nuk ishte betuar asnjëherë për çlirimin e Kosovës, kurse ti je tradhëtar i kombit sepse e ke shkelur betimin e dhënë. Dallimi tjetër është se ai nuk mund të na mashtrojë më, e ti potencialisht e ke ende një mundësi të tillë. Ti që thirresh në emër të luftës dhe në emër të atyre që dhanë jetën për çlirim, pranove që në Rambuje të jetë edhe Ibrahim Rugova, njeriu që kurrë nuk e njohu UÇK–në. Hyre në Grupin Negociator për të negociuar me Serbinë për tokën tonë. Ti që thirresh në emër të gjakut të derdhur u përkule para arkivolit të Rugovës të mbuluar me një flamur që e përdhos flamurin kuqezi me të cilin luftuan Hasan Prishtina, Isa Boletini, Bajram Curri, Azem Bejta, Adem Jashari, Zahir Pajaziti e të gjithë luftëtarët e lirisë. I qëndrove gatitu edhe hymnit që gjithashtu nuk është kombëtar. Një ushtri që e fiton luftën nuk i dorëzon armët. Ti mburreshe kur i detyrove ushtarët e UÇK–së që t’i dorëzojnë armët. Nuk mund të bëhesh duke u çbërë. Ti festove kur UÇK-ja u çarmatos.

Në varrimin e Rugovës nuk ishte familja Jashari, nuk ishte Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe nuk ishin edhe shumë bashkëluftëtarë e atdhetarë të cilët e dinin dëmin politik që Kosovës i bëri Rugova e rugovizmi. Por ti ishe aty dhe nuk të vinte fare turp sepse tani më nuk dalloheshe nga ai. Jo vetëm që flisje si ai, por tani ishe mësuar që edhe të silleshe si ai. Të ka mbetur vetëm edhe gur të fillosh të shpërndash.

Tani ke filluar një fushatë kundër Lëvizjes VETËVENDOSJE! Dhe konkretisht kundër aktivistit Albin Kurti. Këtë po e bën nga frika, sepse ti e di mirë se sa thellë je futur në projektet politike kundër vullnetit të popullit. Decentralizimi shkakton ndarjen e Kosovës dhe krijimin e entitetit serb brenda territorit të Kosovës, kurse statusi ‘eksterritorial’ i kishave dhe manastireve ortodokse në Kosovë shkakton delegjitimimin e shqiptarëve si popull autokton. Ti i ke pranuar që të dy këto projekte, prandaj frika dhe brenga jote e vetme është se si të shpëtosh dhe mbijetosh politikisht. Ty të ka tmerruar masoviteti i popullit në demonstratën e 28 Nëntorit. Populli po zgjohet Hashim, ky është vetëm fillimi. Populli kurrë nuk do të pranojë zgjidhje që është në kundërshtim me vullnetin e tij, prandaj në të ardhmen populli do t’i mbushë rrugë e sheshe kundër këtij sistemi politik dhe kundër juve që po e tregtoni vullnetin e 2 milionë njerëzve. Mos qofsha nën lëkurën tënde.

Në një tubim në Prizren ti, Hashim, para qytetarëve të pranishëm ke thënë që Albin Kurti iu ka dorëzuar Serbisë, prandaj serbët e futën në burg dhe ia ndërruan frizurën e pastaj e lëshuan. Ta akuzosh Albin Kurtin se iu dorëzua Serbisë dhe se ia ndërruan frizurën dhe në fund e lëshuan, është poshtërsia që mund ta bëjë vetëm një idiot. Kjo është fyerje për të burgosurit politik të të gjitha gjeneratave. Është fyerje për simbolin e rezistencës Adem Demaçin, është fyerje për Ukshin Hotin, Afrim Zhitinë, Fadil Vatën… Është fyerje edhe për Nait Hasanin e shumë të burgosur politik që ti i ke në kryesinë e partisë tënde. Shumë anëtarë të kryesisë së partisë tënde e njohën dhe e takuan Albinin në burg. Ata e dinë mirë se si qëndroi Albini në burg, cila ishte përgjigja që i dha politikës fashiste të Milosheviqit. Por ti e ke hallin tjetërkund. Këtë sulm e bën nga frika prej popullit, sepse ti e di mirë se Albini nuk ndalet, nuk nënshtrohet dhe me asnjë çmim nuk e pranon kapitullimin. E, populli çdo ditë e më shumë po na bashkohet, duke u larguar nga ju. Ata nuk ju besojnë më, sepse planet e juaja në kundërshtim me vullnetin e popullit janë bërë tashmë shumë të dukshme. Kjo është frika jote.

Ti e nënshkrove Rambujenë dhe, rrjedhimisht, e pranove Serbinë për shtet tëndin, por këtë Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe populli i Kosovës nuk do e pranojë kurrë. Ne me Serbinë zyrtarisht jemi ende në luftë, sepse nuk kemi marrëveshje të paqes me të. Ne nuk do të ndalemi deri në çlirimin përfundimtar, nuk do të ndalemi deri në vetëvendosje, natyrisht pa ty dhe të tjerët si ti. Për fund po ta përkujtoj betimin që e ke dhënë, sepse ndoshta e ke harruar:

‘Si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë dhe bashkimin e tyre; do të jem përherë besnik, luftëtar i denjë i lirisë, vigjilent, guximtar dhe i disiplinuar, i gatshëm që në çdo kohë, pa kursyer as jetën, të luftoj per t’i mbrojtur interesat e shenjta të Atdheut. Nëse shkel këtë betim, le të ndëshkohem me ligjet më të ashpra të luftës dhe nëse tradhtoj, qoftë i humbur gjaku im. Betohem!’

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë