Katër palë kontraktuese të Komunitetit të Energjisë në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe Kosovën, mund të ballafaqohen me procedura për shkak se nuk kanë arritur të zvogëlojnë emetimet e SO2, NOx dhe grimcave të pluhurit, nga termocentralet me qymyr sipas standardeve ndërkombëtare.
Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ka njoftuar se ka dorëzuar letra paralajmërimi për Kosovën, Bosnen dhe Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë për të shprehur shqetësimet në lidhje me (mos)zbatimin e planeve kombëtare të zvogëlimit të emetimeve, NERP-të.
NERP-të mundësojnë pajtueshmërinë me Direktiva për Impiante me Djegie të Mëdha dhe përcaktojnë kufizimet për emetimet e dyoksidit të karbonit, oksideve të nitrogjenit (NOx) dhe grimcave të pluhurit për impiante me kapacitet të instaluar prej më shumë se 50 megavat.
Pas paralajmërimit, Komuniteti i Energjisë mund të fillojë procedura ndaj palëve kontraktuese
Në rastin e katër palëve kontraktuese në Ballkanin Perëndimor, pothuajse e gjithë ndotja në ajër shkaktohet nga termocentralet me linjit.
‘Sekretariati ka dërguar letra paralajmërimi para fillimit të mundshëm të procedurave, zyrtarisht të quajtura procedura për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve (dispute settlement procedure’, thuhet në letrën e Sekretariatit.
Sektori i energjisë ndër kontribuesit më të mëdhenj të ndotjes në Ballkan
Në gjithë rajonin, sektori i energjisë është ndër kontribuesit kryesorë të ndotjes së ajrit, dhe kjo shkakton shpenzime të larta shëndetësore dhe mjedisore si dhe nivelin e lartë të vdekjeve të parakoshme, thuhet në letrën e Sekretariatit.
Në raportin vjetor të zbatimit të reformave në sektorin e energjisë nga palët e kontraktuara për vitin 2020, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë kishte thënë se Kosova ka tejkaluar limitet e emetimit për tre ndotës, dyoksidin e squfurit, nitrogjen dhe të grimcave të pluhurit.
Kosova, ashtu siç ishte spikatur në të njejtin raport të Sekretariatit, ka dështuar të zbatojë reformat ligjore për vlerat kufitare të emisioneve të ndotësve të ajrit.
Pak pas publikimit të këtij raporti, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë i ka dërguar letër gjashtë Palëve Kontraktuese, duke përfshirë edhe Kosovën, duke kërkuar rivlerësimin e subvencioneve të qymyrit dhe përputhshmërinë e tyre me rregullat e ndihmës shtetërore të BE-së.
Letra u ishte dërguar palëve pas publikimit të studimit mbi subvencionet për thëngjill.
Sipas studimit, gjashtë palët e kontraktuara të Komunitetit të Energjisë siguruan ndihmë direkte për prodhim të rrymës nga thëngjilli dhe linjiti gjatë viteve 2018 dhe 2019, dhe këto subvencione arritën shifrën prej më shumë se 900 milion euro.
Për më tepër, huatë e garantuara nga shteti arritën shumën prej afër 2 miliardë eurosh vetëm në vitin 2019.
Letrën e plototë mund t’a lexoni duke klikuar këtu.