Loading…

Koncepti i bashkëjetesës së komplikuar

  • Nga

  • GENC LIMANI

  • 18/06/2020 | 13:45

Koncepti i bashkëjetesës së komplikuar

Jeta në shoqëritë demokratike e ka si parakusht lirinë e ideve, fjalës dhe veprimmarrjes pa i kufizuar liritë e tjetrit. Pra, ndërtoleranca si dhe besimi dhe lojaliteti ndaj institucioneve janë një emër i përbashkët i të gjithë atyre që jetojnë në shoqëritë demokratike. Shoqëritë demokratike në thelb janë antagoniste si në pikëpamje politike ashtu edhe ekonomike. Mirëpo besimi në institucione është i përbashkët dhe kjo mundëson një bashkëjetesë demokratike të komplikuar.


Shkruan Genc Limani

Dhuna apo kërcënimi me dhunë fizike nuk ekziston si parameterë. Është e kuptueshme nga të gjithë ata që jetojnë në shoqëritë demokratike se ndërrimet kryhen përmes votës së lirë dhe dialogut, pra vota e qytetarit është instrument i ndryshimit.

Ështe e kuptueshme gjithashtu, që shoqëria kosovare është në lindje të demokracisë dhe ka ende hapa për të arritur një përvojë të thellë që mundëson një jetë më të mirë si politike ashtu edhe socio-ekonomike të qytetarëve të saj. Turbullimet që ndodhen në kohën e fundit, ku Albin Kurti së bashku me Vetëvendosjen e tij u rrëzuan nga pushteti, janë pjesë e jetës së përhershme e shoqërive demokratike, dhe kjo nuk është diçka unike vetëm për Kosovën.

Ajo çka e veçon këtë krizë politike është qasja e Albin Kurtit ndaj shoqërisë demokratike kosovare, e cila sa do e brishtë që mund të jetë është e lirë edhe pse me nuanca të korrupsionit, prapë se prapë është e jona. Është ajo çka është dhe duhet të çohet përpara. Nuk është në pyetje qëndrimi i Albin Kurtit dhe LVV´së sa i përket korrupsionit apo implikacioneve të politikanëve në tendere të ndryshme. Është në pyetje izolimi i shoqërisë kosovare ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Unë nuk mund të kuptoj se si Albin Kurti, si kosovar implikon SHBA’të në mbrojtje të korrupsionit dhe të shkatërrimit të shtetit kosovar. Si mund të mohohet e vërteta e 1999’ës ku thuajse një milion kosovarë kanë qenë të tjerrur në Maqedoninë e Veriut, ku më shumë se dhjetë mijë civilë janë vrarë e më se njezetë mijë gra janë dhunuar! Nëse SHBA’të nuk do të ishin të inkuadruara në luftë atëherë ne sot si kosovarë nuk do të ekzistonim! Edhe sot Kosova nuk mund të ekzistojë pa SHBA’të.

Nuk e di nëse janë këndëvështrimet ideologjike të Albin Kurtit dhe LVV’së si majtista ato që e pamundësojnë një qasje racionale ndaj SHBA’ve, mirëpo një gjë është e qartë, SHBA’at nuk qëndrojnë prapa korrupsionit! SHBA’të qëndrojnë prapa Kosovës si shtet i pavarur dhe si të tillë e ka mbështetur gjatë gjithë kohës. Evropa nuk do ta kishte pranuar Kosovën si shtet pa insistimin e SHBA’ve. Evropa me siguri se do të na kishte mbështetur si popullatë përmes organizatave joqeveritare, mirëpo asesi si shtet. Evropa e ka izoluar shoqërinë kosovare aq ashpër sa Bangladeshi ka mundësi ta marr qasjen në lëvizje të lirë para Kosovës.

Pra, nëse kthehemi te lojaliteti ndaj institucioneve, atëherë LVV si pjesë e shoqërisë demokratike kosovare, po i demonizon institucionet e shoqërisë kosovare dhe në mënyrë indirekt shtetin kosovar. Pra, nëse LVV nuk është në pushtet atëherë institucionet dhe vlerat e shoqërisë kosovare nuk vlejnë asgjë! Kjo qasje nuk është demokratike dhe si e tillë nuk ka vend në shoqërinë tonë, kjo qasje veç sa i fërkon dhe e turbullon të gjithë shoqërinë. LVV ka të drejtë në qasjen e saj ndaj korrupsionit dhe nepotizmit, mirëpo kjo nuk legjitimon shkatërrimin e relacioneve me SHBA’të dhe demonizimin e oponentëve politikë.

Kuvendi si i tillë është një institucion demokratik, ku të gjithë janë të mirseardhur deri sa e kanë votën e qytetarit. Ndërrimet në jetën politike bëhen përmes një klime respekti si për përkatësinë politike ashtu edhe atë fetare. Mirëpo, feja e kosovarit është Kosova dhe SHBA’të!

(Genc Limani është opinionist nga Disapora, dhe këtë artikull e ka shkruar enkas për Metron)

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë