Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, në një konferencë për media ka fajësuar Kadri Veselin për pengimin e mbajtjes së seancës së jashtëzakonshme për të diskutuar rreth vdekjes së aktivistit Astrit Dehari.
Ai ka thënë se Veseli po u bën presion deputetëve që të tërheqin nënshkrimet për mbajtjen e kësaj seance.
“Këto tri ditë dy herë nga ndodhur tërheqja e nënshkrimeve prej deputetëve sidomos rasti me Bislim Zogajn. Ka qenë i koordinuar shumë mirë me Kadri Veselin e PDK-së sepse po të kishte pasur probleme me ne, ai do të na njoftonte së paku një orë më herët në mënyrë që Lëvizja do të gjente një tjetër nënshkrim”, ka thënë Konjufca.
Tërheqja e nënshkrimit të Bislim Zogajt ka ardhë vetëm disa sekonda më herët. Pa paralajmërim paraprak. Vetëvendosje bashkë me ndihmën e AAK-së e Nismës u mobilizuam t’i gjenim nënshkrimet e tjera dhe ishim të gatshëm ta procedonim sërish sot, por edhe sot ndodhi intervenimi i pushtetit”, ka shtuar ai.
Konjufca ka bërë të ditur se sot ka tërhequr nënshkrimin poashtu edhe deputeti Danush Ademi.
“Danush Ademi e tërheq nënshkrimin e tij në momentet e fundit. Ky është një presion i Kadri Veselit e pushtetit që të mos e lënë organizimin e kësaj seance për rastin e vdekjes së Astrit Deharit”, ka thënë Konjufca.
“Këta njerëz që po përpiqen e po bëjnë çmos që kjo seancë të mos mbahet, janë përgjegjësit kryesor se pse Astrit Dehari e ka gjet vdekjen në burg. Ajo për çka më së shumti po vuan Kosova është politizimi i policisë dhe drejtësisë prej këtij regjimi politik. Janë politizuar burgjet, policia, prokurorët që ngrisin raste e akuza me urdhër politik siç është ngritur akuza nga Abdurrahim Islami për 6 aktivistët tanë për terrorizëm”, ka thënë Konjufca./gazetametro.net