Zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë parandaluar futjen e një sasie të mallrave të padeklaruara në pikëkalimin kufitar në Hani i Elezit, transmeton Gazeta Metro.
Gjatë kontrollit të një autobusi të linjës Turqi–Prishtinë me tabela të huaja, janë zbuluar të fshehura 27 fustane solemne dhe dy fustane nusërie.
Sipas autoriteteve doganore, produktet nuk ishin deklaruar sipas procedurave të kërkuara, ndaj janë sekuestruar menjëherë nga zyrtarët kompetentë. Rasti tashmë është proceduar për trajtim të mëtejmë administrativ dhe ligjor, në përputhje me dispozitat në fuqi.
“Gjatë kontrollit të kryer sipas procedurave zyrtare, zyrtarët doganorë kanë gjetur një hapësirë të fshehur brenda autobusit, ku është zbuluar mall i padeklaruar: 27 fustane solem dhe 2 fustane vello. Mallrat janë ndaluar nga Dogana e Kosovës dhe po ndiqen procedurat e mëtejshme administrative dhe ligjore në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim./gazetametro.net