Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, po qëndron për vizitë zyrtare në Bullgari, ku është takuar me ministrin e Kulturës së Bullgarisë, Vezhdi Rashidov.
Të dy ministrat kanë nënshkruar Marrëveshjen për Bashkëpunim Kulturor ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Bullgarisë.
Fillimisht, Shala ka biseduar me homologun e tij, Rashidov për raportet bilaterale ndërmjet dy shteteve, të cilat u vlerësuan shumë të mira, si dhe për një varg temash të interesit të përbashkët që lidhen me bashkëpunimin kulturor.
Ministrat Shala dhe Rashidov, me një theks të veçantë biseduan për konkretizimin e këtij akti të nënshkrimit të marrëveshjes, ndërmjet nismave konkrete, duke e vlerësuar këtë marrëveshje si hap të rëndësishëm që ndihmon thellimin e bashkëpunimit kulturor.
Shala dhe Rashidov po ashtu u shprehën se kultura është fushë shumë e rëndësishme për njohje mes popujve dhe shteteve, dhe një faktor shumë i rëndësishëm për zhvillim të gjithmbarshëm.
Kjo marrëveshje që u nënshkrua sot përfshinë një gamë të gjerë temash për bashkëpunim konkret kulturor, duke filluar nga bashkëpunimi në ngjarjet kulturore ndërkombëtare, muzika dhe vallëzimi, arti bashkëkohor dhe trashëgimia kulturore, biblioteka, muzetë dhe arkivat, kinematografia, libri dhe letërsia, të drejtat e autorit, etj.