Kosovarët e mundën pushtetin kriminal të Slobodan Milosevicit, madje ata do të arrijnë mundin dhe do të kenë më lehtë ta mundin edhe nxënësin e kryeqetnikut, Vojislav Sesejl, i veshur në petkun e një politikani pro Brukselit, Aleksandar Vucic.
Qytetarët e Kosovës ndryshe nga ata të Serbisë, e mundën pushtetin kriminel të Slobodan Milosevic, ashtu siç po fitojnë sot ndaj dorës së zgjatur të një regjimi të ngjashëm, pushteti i Aleksandar Vucic. Ata janë çliruar nga ndikimi dhe pasojat e luftës dhe politikës së pastrimit etnik të nëntëdhjetave, ashtu edhe sot që po lirohen nga pasojat e politikave urrejtëse dhe raciste, të përshtatura me kushte të imponuara të kohëve të paqes e në pamundësi të luftës. Paradoks, ata si objekt i urrejtjes dhe viktimat e drejtpërdrejta të pushtetit të Slobodan Milosevicit arritën të fitojnë lirinë e tyre, për dallim prej qytetarëve serb, që ishin mjeti i shfrimi të agresionit ndaj bashkëqytetarëve të tyre, sot, fatmirësisht, vetëm fqinjë. Në të vërtetë shqiptarët e Kosovës, përkatësisht qëndresa e tyre kundër politikave të Milosevic, për fat të keq, si pasojë la shumë të vdekur, përmbysi atë diktator e gjakatar, jo vetëm në Kosovë por edhe në Serbi. Ishte bartja e domethënies dhe simbolikës së saj që shkaktoi revolucionin e pesë tetorit e në vitin dymijë e që nxori gjysmë milioni njerëz në rrugë, të cilët dogjën Kuvendin e Serbisë dhe përzunë familjen Milosevic nga pushteti në Beograd. Kur kemi parasysh gjithë çka ndodhi pas revolucionit, e që ishte mbetja e strukturave të Milosevicit dhe nacionalistëve në pushtet, sot e kësaj dite, qytetarët e Serbisë humbën rastin që si shqiptarët e Kosovës të çlirohen nga pushteti i cili vuajtën, i cili i vrau dhe i shfrytëzoi për plaçkitje lufte e për të zbatuar politika kriminale.
Sot, shqiptarët e Kosovës, hap pas hapi, po lirohen edhe nga ndikimi shkatërrimtar i politikës së Aleksandar Vucic- trashëgimtari i politik i Vojislav Seselj, nga shumë pikëpamje politikan më mizor se Milosevic, përkatësisht, luftëdashësi dhe përfituesi i luftës gjatë të nëntëdhjetave. Këtu dallojnë prej qytetarëve serb të cilët përsëri u gjendën në rolin e veglës për shqetësim dhe keqtrajtim ndaj qytetarëve të shtetit fqinj, zhvillimit të tyre e përparimit ekonomik, e me këtë ata po i shkaktojnë fatkeqësi vetëm vetes.
Ashtu siç rrodhën ngjarjet e historisë gjatë të nëntëdhjetave, është e qartë se nuk do të ketë fund të ndryshëm tani. Kosova do të lirohet edhe nga politika e pushtetit të Aleksandar Vucic, sikur bëri para dy dekadash me ato të Slobodan Milosevic. Derisa, siç po duket, qytetarët serb do të mbesin të robëruar nga miti i ideologjisë së madhështisë serbe, pa gati asnjë mundësi kundërshtie politike e cila nuk e ka themelin në nacionalizëm dhe urrejtje ndaj tjetrit.
Promovimi me media i fuqishëm i urrejtjes dhe racizmit ndaj shqiptarëve të Kosovës, kjo makineri kriminele e lyer me ide të madhështisë serbe e me pikëpamje primitive të veçantisë e superioritetit të kombit përballë të tjerëve, pushteti me vite i prapambetur i Vucic, në vend se të normalizoj marrëdhëniet me shtetin fqinj, të pranoj pavarësinë, të mundësoj lirinë e shkëmbimit tregtar e kulturor, të mundësoj pajtimin e respektin e ndërsjellë, ai vetëm sa po e shton armiqësinë edhe më shumë. Këtë herë, humbësit më të mëdhenj nuk do të jenë shqiptarët e Kosovës, por pikërisht serbët të cilët jetojnë në krahinën e dikurshme serbe. Me ta udhëheqë mafia dhe strukturat kriminale, e cila i ka lënë në skajshmëri të ekzistencës duke i mbajtur peng të ideve të tyre të sëmura dhe një politike shumë të dëmshme. Kuptohet, për përfitim, personal politik dhe financiar.
Pritja se Aleksandar Vucic do të pranoj pavarësinë e Kosovës, të tërheqë kriminelët nga veriu i Kosovës, pritja se do nxjerrë atë popull nga geto, e do të krijoj themelin që ta më në fund të fillojnë të jetojnë e punojnë me bashkështetasit e tyre, shqiptarët e Kosovës, përkatësisht të mos e shtynë përkatësinë etnike si parakusht të bashkëjetesës, kjo do të ishte lustrimi i tij në Serbi dhe pranim i përgjegjësisë për të gjitha të ligat që i ka shkaktuar popullit të vet.
A është pritje realiste se Aleksandar Vucic do të bëjë vetëvrasje politike dhe ekonomike? Duket se jo. Por, pritja se populli kosovar do të çlirohet nga ndikimi i politikave rrënuese të tij në zhvillimin e tyre, duke ditur se shtetësia e tyre gjerësisht është pranuar nga fqinjët, shumica e shteteve evropiane, përfshi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është shumë reale. Shihet se jemi në fazën e fundit të kësaj fitoreje.
Ndërkohë duket se gjendemi në atë fazë të ngjarjeve historike në të cilën qytetarët serb përsëri do të humbin. Pasi, për shkak të “humbjes” së Kosovës edhe këtë herë, do t’i duhet të rrëzoj pushtetin e Aleksandar Vucic, siç bënë me atë të Slobodan Milosevicit, do të detyrohen të fillojnë të pushtojnë e robërojnë vetveten, pasi më në fund nuk do të kenë qasje ndaj asnjë populli a shteti tjetër.
(Autorja është kolumniste e rregullt e gazetës beogradase “Danas”. Teksti është i shkruar enkas për Gazetën Metro)