Loading…

Kosova edhe formalisht pjesë e forcës ndërkombëtare për Gazën

  • 07/09/2026 | 22:39

Kosova edhe formalisht pjesë e forcës ndërkombëtare për Gazën

Kosova e ka nënshkruar të hënën një marrëveshje formale për t’iu bashkuar listës së shkurtër të shteteve që janë zotuar të jenë pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF) në Gazë, sipas një postimi në rrjetet sociale të Bordit të Paqes, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.


“Përfaqësuesit e Republikës së Kosovës, Bordit të Paqes dhe Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese, nënshkruan Marrëveshjen për Shtetet Pjesëmarrëse, për përfshirjen e Kosovës në ISF”, thuhet në postim.

Marrëveshja, e nënshkruar nga komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, dhe komandanti amerikan i ISF-së, gjeneralmajor Jasper Jeffers, formalizon përfshirjen e Kosovës në forcën e planifikuar.

“Ky zhvillim i rëndësishëm nënvizon përkushtimin e Kosovës ndaj misionit të ISF-së dhe mbështetjen e saj të vazhdueshme për planin 20-pikësh për Paqe të presidentit [Donald] Trump”, thuhet në deklaratën e Bordit të Paqes.

Kosova ishte ndër vendet e para që u zotua për të dërguar trupa në kuadër të këtij misioni në Gazë dhe në fillim të vitit, dërgimi i FSK-së u miratua nga Kuvendi dhe u autorizua nga ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu.

Një ekip i FSK-së shkoi në prill në Rripin e Gazës për të bërë një vlerësim të vendit ku pritet të veprojnë trupat kosovare si pjesë e një force ndërkombëtare në territorin palestinez.

Deri tani, pesë shtete janë zotuar të dërgojnë trupa në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF): Kosova, Shqipëria, Indonezia, Maroku dhe Kazakistani, ndërsa Egjipti dhe Jordania janë zotuar të trajnojnë policinë.

Forca Ndërkombëtare Stabilizuese buron nga një plan 20-pikësh i presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës së Izraelit në Gazë.

Trumpi krijoi Bord të Paqes për të mbikëqyrur planin e tij për t’i dhënë fund luftës së Izraelit në Gazë dhe për të rindërtuar territorin e shkatërruar.

Sipas planit, forca paqeruajtëse duhet të zhvendosen në Gazë për të siguruar zonat pas tërheqjes së forcave izraelite, si dhe t’i trajnojnë forca e reja policore palestineze dhe të mbështesin dërgimin e ndihmave atje.

Pjesa më e madhe e Gazës mbetet në rrënoja pas dy vjetësh luftë, e cila u shkaktua nga sulmet e udhëhequra nga Hamasi ndaj Izraelit më 7 tetor 2023. Hamasi është grupi i shpallur terrorist nga SHBA dhe BE.

Por, që nga njoftimi për një marrëveshje në fund të korrikut, përpjekjet për dërgimin e trupave kanë ngecur, pasi si Izraeli, ashtu edhe Hamasi nuk kanë pranuar t’i përmbushin kushtet që do ta mundësonin zbatimin e marrëveshjes.

I dërguari i Trumpit dhe dhëndri i tij, Jared Kushner, zhvilloi takime të ndara me zyrtarë të Hamasit dhe me udhëheqës izraelitë në gusht, por u largua pa ndonjë përparim, pasi të dyja palët qëndruan të palëkundura në kërkesat e tyre kryesore.

Prandaj, mbetet e paqartë se kur do të mund të dërgohen trupat e misionit ndërkombëtar në Gazë.

Plani i armëpushimit e ka ulur dhunën në Gaza, por nuk i ka dhënë fund sulmeve izraelite dhe as nuk ka siguruar çarmatimin e militantëve.

Më shumë se 1.200 palestinezë dhe katër ushtarë izraelitë janë vrarë në Gaza që nga arritja e armëpushimit në tetor, sipas zyrtarëve shëndetësorë të Gazës dhe ushtrisë izraelite./REL

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë