Në Kosovë kërkesa për energji elektrike ka shënuar rritje nga viti në vit. Vetëm në tremujorin e parë 2019, Kosovarët konsumuan 9.88% më shumë rrymë krahasuar me periudhën e njejtë të vitit 2018.
Edhe në tremujorin e dytë të 2019-së, sasia e energjisë elektrike për konsum ishte 1,039.5 gWh. Në raport me tremujorin e njejtë të vitit 2018, sasia e energjisë elektrike të konsumuar është rritur për 21.5 për qind.
Marrë parasysh këto vlera, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2019 Kosovarët konsumuan 15.7% më shumë rrymë, krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2018. Kjo rritje mund të vlerësohet si shumë alarmante, marrë parasysh kapacitetet e limituara të energjisë elektrike në vend.
Situata mund të rëndohet edhe më shumë, pas dekomisionimit të termocentralit Kosova A, i cili ka të gjitha afatet e operimit të skaduara. Në mungesë të termocentralit të ri, vendit do t’i mungojnë dukshëm burimet e energjisë elektrike, të cilat pas dekomisionimit të Kosovës A, duhet të sigurohen nga importi, i cili dekadën e fundit ka tejkaluar gjysmë miliardi euro.
Konsumi në rritje i rrymës në Kosovë, përkon me konsumin në rritje edhe në botë, ani pse në vendet në zhvillim, sikurse Kosova, kërkesa për rrymë është gjithmonë në rritje më të shpejtë. Kjo kryesisht ngase këtyre vendeve u nevojitet shumë rrymë për të përkrahur zhvillimin ekonomik.
Pa marrë parasysh vlerën e rritjes, konsumi i energjisë elektrike në vend është shumë më i vogël, krahasuar me vlerat standarde globale të konsumit sipas OECD. Një Kosovar konsumon rreth 2,500 kWh rrymë gjatë gjithë vitit deri sa të dhëna të OECD sugjerojnë se konsumi i rrymës për person në vend të zhvilluar është diku rreth 8,000 kWh.
Vlerat e konsumit të energjisë elektrike kanë shënuar alarmante përgjatë gjithë dekadës që po lëmë pas. Kërkesa në tremujorin e parë të vitit 2018 ishte rritur për 2.8% deri sa për të njejtën periudhë kohore në vitin 2017, ajo ishte rritur për 6.6%.
Deri në vitin 2050, kërkesa për energji elektrike në botë do të rritet për 57%, sipas Bloomberg.