Loading…

Kosova me të pasur e të varfër, s’ka shtresë të mesme

  • 29/04/2017 | 12:55

Kosova me të pasur e të varfër, s’ka shtresë të mesme

Pjesa dërmuese e popullatës në Kosovë konsiderohet e varfër, një numër shumë i vogël i të pasurve dhe pjesa tjetër të varfër ekstrem, ndërkohë sa i përket shtresës së mesme, ekspertët e çështjeve ekonomike e vënë në pikëpyetje ekzistimin e saj në Kosovë.


Ekspertët vlerësojnë se punëtorët në administratën publike, në sektorin e shëndetësisë, arsimit, policia, stafi universitar, komuniteti i medieve, e ai artistik, të cilët do të duhej të konsideroheshin të shtresës së mesme në Kosovë marrin paga të ulëta që rrjedhimisht nuk arrijnë të hyjnë në këtë shtresë.

Familja pesë anëtarësh Sylejmani, thotë të ketë të ardhura të mjaftueshme për të jetuar një jetë mesatare, por, sipas Veronës, anëtare e kësaj familjeje, çmimet në tregun e Kosovës janë gati të njëjta me çmimet në tregjet evropiane, atje ku siç thotë ajo paguhen tri herë apo më shumë sesa në Kosovë.

Në anën tjetër, profesori i ekonomisë, Muhamet Sadiku, thekson se rreth 8 deri në 10 për qind e popullatës në Kosovë, përballet me varfëri të skajshme që konsumojnë më pak se 1 euro në ditë, derisa 35 për qind e popullatës jetojnë nën linjën e varfërisë dhe në ditë nuk konsumojnë më shumë se 2 euro.

Sipas tij, kjo pasqyrë tregon se afër 50 për qind e qytetarëve të Kosovës jetojnë në zonën e varfërisë.

Edhe të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës flasin për një gjendje jo të mirë ekonomike të familjeve në Kosovë.

ASK-ja, në të dhënat e fundit të publikuara, vë në pah se 17.6 për qind e popullsisë së Kosovës jeton nën kufirin e varfërisë, me 1.82 euro në ditë dhe 5.2 për qind e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë së skajshme me 1.30 euro për të rritur në ditë.

Mesatarja e pagave në Kosovë nuk është më e lartë se 400 në muaj, derisa në vitin 2015, konsumi për ekonomi familjare në Kosovë kishte qenë 7.503.

Po ashtu, në hulumtimet që janë bërë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës ishte thënë se ekonomitë familjare shpesh nuk janë në gjendje të paguajnë në kohë pagesat siç janë qiraja, kreditë, tatimet, shpenzimet komunale -faturat, mirëmbajtjet e rregullta etj.

Naim Gashi, ekspert i çështjeve ekonomike, thotë se duke u nisur edhe nga këto të dhëna dhe gjendja reale ekonomike në vend, mund të thuhet se pjesa dërmuese e popullatës në Kosovë janë të varfër.

“Është pikëpyetje nëse ka shtresë të mesme në Kosovë duke marrë parasysh standardin jetësor, në të cilin jetojnë qytetarët e Kosovës me çmimet që janë të krahasueshme me vendet e BE-së dhe më të ardhura dukshëm më të ulëta. Nëse do t’i përdornim kriteret e Bashkimit Evropian, shtresa e mesme në Kosovë nuk do të ekzistonte, do të konsiderohemi të gjithë të varfër”, thekson Gashi për Radion Evropa e Lirë.

Në hulumtimet e bëra nga Agjencia e Statistikave të Kosovës ishte theksuar se më shumë se gjysma e ekonomive familjare nuk kanë qenë në gjendje të përballojnë një shpenzim të papritur prej 500 eurosh përmes burimeve vetanake.

Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë