Për vitin 2017 në “Fokus Program” të festivalit do të jetë Kosova. Në fakt do të jetë festivali “DokuFest” i Prizrenit ai që do të sjellë përshëndetjet filmike dhe mysafirët nga Kosova”.
Edhe një super lajm për Kosovën, këtë herë me programin e filmave për Festivalin e Filmit Rinor në Zurich, ku prezantohen filmat e prodhuar nga Shkolla e Filmit Dokumentar të Dokufest, Shkolla Rajonale ACTive dhe një program të veçantë të filmave për migrim.
Eroll Bilibani, drejtor i DokuFestit ka përpiluar enkas për festivalin e filmit për të rinj dy programe të përbërë nga filma të shkurtë. Programi i parë tregon punimet e lindura në njërën nga shumë punëtoritë (workshopet) me të rinjtë që DokuFesti i organizon për çdo vit. Ndërsa programi i dytë përfshin katër filma të realizuar nga krijues profesionistë të filmit, të cilët merren me temën e migracionit dhe të refugjatëve dhe inskenimin e tyre filmik, shkruan albinfo.ch. Janë pra këto tema që janë ngulitur tashmë në traditën humaniste të DokuFestit dhe sot janë më aktuale se kurdo.
Festivali zviceran i filmit të të rinjve, këtë vit mbahet nga 15 deri më 19 mars. Në kuadër të veprimtarive të tij kompleks, ky festival, duke filluar nga viti 2013 ka vendosur edhe fokus-programet ku prezantohen filma të punuar nga të rinjtë e vendeve të caktuara jashtë Zvicrës. Për vitin 2017 në këtë program do të jetë Kosova./gazetametro.net