Deputetët e legjislaturës së re pritet të mblidhen sot në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, me qëllim të përmbylljes së procedurave që hapin rrugën për funksionalizimin e përbërjes së re parlamentare, shkruan Gazeta Metro.
Sipas agjendës së publikuar, fillimisht do të bëhet themelimi i komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit, më pas deputetët do të japin betimin, ndërsa në vazhdim pritet të zhvillohen procedurat për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve.
Mbledhja zhvillohet në situatën kur subjektet politike ende nuk kanë arritur pajtim për krijimin e institucioneve të reja. Një nga temat që vazhdon të mbetet pa zgjidhje është edhe marrëveshja për postin e presidentit të vendit.
Gjatë dy ditëve të fundit janë zhvilluar takime ndërmjet kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, në përpjekje për të gjetur një formulë që do t’i jepte fund bllokadës institucionale.
Megjithatë, pas përfundimit të këtyre takimeve nuk është arritur ndonjë dakordim konkret. Të dyja palët kanë lënë të kuptohet se komunikimi do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.
Lëvizja Vetëvendosje ka përsëritur qëndrimin se çdo zgjidhje duhet të reflektojë vullnetin e shprehur nga qytetarët në zgjedhje. Në anën tjetër, LDK ka kërkuar një marrëveshje më të gjerë politike, duke insistuar në ndarjen e balancuar të përgjegjësive institucionale.
Ndërkaq, PDK dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë refuzuar të zhvillojnë bisedime me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti./gazetametro.net