Një letër që ka pranuar Qeveria e Kosovës nga sekretari i NATO-së, po e ofron shtetin tonë edhe më afër kësaj aleance euroatlantike.
Përmes një konference për media kryeministri Isa Mustafa, njoftoi për pranimin e kësaj letre e cila sipas tij forcon edhe më shumë marrëdhëniet e Kosovës me NATO-në. Për Mustafën kjo është një fazë e re apo lëvizje konkrete në integrimin e Kosovës në NATO.
“Unë konsideroj që ky është një lajm shumë i rëndësishëm për Kosovën pasi që hap një kapitull të ri të mbështetjes së NATO-së për Kosovën. Unë shpreh mirënjohjen për NATO-n dhe shtetët anëtare. Tashmë i ka hapur rrugë avancimit të raporteve të bashkëveprimit me Kosovën”, tha Mustafa.
Ai, konsideron se Kosova ka bërë dhe po bënë hapa të sigurtë në ndërtimin e institucioneve të sigurta për sigurinë e vendit.
“Kemi Policinë e Kosovës e cila është avancuar, e po ashtu edhe Forcat e Kosovës. Ne do të mbështesim fushën e sigurisë dhe do të bashkëpunojmë ngushtë me NATO-n”, tha kryeministri i vendit./gazetametro.net