Loading…

Kosova rrezikohet nga arbitrazhi edhe për pallatin presidencial

  • 31/12/2021 | 10:01

Kosova rrezikohet nga arbitrazhi edhe për pallatin presidencial

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, ka thënë se Kosova rrezikon të humbë edhe disa miliona euro të tjera nga një lëndë tjetër në arbitrazh, transmeton Gazeta Metro. 


Kjo, pasi, sipas Çekut, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pasur tendencë që të ndërtojë pallat presidencial në objektin ku gjendet sot Ministria e Kulturës.

Çeku tha se ka pasur tendenca që nga qendra e sheshit në Prishtinë të largohet Ministria e Kulturës dhe, sipas tij, për këtë qëllim është bërë një kontratë me një operator, ku tha se si ministri po kanë telashe për ta anuluar, pasi që penalltia që do ta paguajnë në këtë rast është e madhe, teksa shtoi se kontrata ka mundur të shkojë deri në mbi 50 milionë euro.

“Kontrata ka qenë e klasifikuar dhe mezi e kemi deklasifikuar, sepse edhe ajo e ka procedurën e vet. Flitet për disa milionë por juristët tanë tek tani mund të shkojnë dhe ta shohin dhe t’i shohin kushtet e kontratës ose ridestinimin e asaj kontrate. Kontrata ka qenë milionëshe për t’i nisur renovimet e para, por plani i përgjithshëm, sipas atyre që kanë qenë të përfshirë në atë proces ka mundur të shkojë deri në mbi 50 milionë euro, sepse ka qenë e paraparë që aty të rregullohet edhe rrezja e sigurisë, të ketë edhe shpronësime, mund të llogaritet sa mund të shkojë shpronësimi në atë pjesë të kryeqytetit”, është shprehur Çeku në ATV.

Më tej, Çeku tha se përveç kontratës së parë, është bërë edhe një kontratë tjetër, që nga objektet ekzistuese të lëvizin Ministria e Kulturës dhe Ministria e Bujqësisë në një objekt tjetër privat, ku tha se Ministria e Kulturës ka paguar rreth gjysmë milioni euro për një objekt që s’e ka shfrytëzuar.

“Ministria e Bujqësisë ka lëvizur, ndërsa Ministria e Kulturës jo, por për fat të keq, kontrata ka qenë që qiraja të paguhet edhe për Ministrinë e Bujqësisë, por edhe atë të Kulturës. Ne i kemi marrë të gjitha masat edhe për ndërprerjen e kontratës edhe prapësimin e asaj lënde, por përfundimisht dhe me përmbarues, buxheti i Ministrisë së Kulturës është dëmtuar në vlerë rreth gjysmë milioni euro nga kjo kontratë. Pra, kemi paguar para për një kontratë për një objekt që s’e kemi shfrytëzuar asnjëherë”, është shprehur Çeku.

Më tej, i pari i Ministrisë së Kulturës tha se kontrata për qira në objektin tjetër është nënshkruar kur në krye të Qeverisë së Kosovës ka qenë Avdullah Hoti, ndërsa kontrata për pallatin presidencial është nënshkruar vite më parë.

“Kontrata është nënshkruar, nëse s’gaboj, në kohën e Qeverisë Hoti për qira në objektin tjetër, por kontrata për t’i nisur renovimet për pallat presidencial është nënshkruar para disa viteve dhe në atë kontratë kemi obligime sepse është nënshkruar. Tash për ta zhbë atë kontratë duhet t’i studiojmë termet dhe kushtet e lidhjes së asaj kontrate dhe të shpëtojmë me sa më pak dëme për buxhetin e Kosovës”, ka thënë Çeku.

Ndërsa, për këto kontrata, Çeku tha se janë njoftuar Policia e Kosovës, përkatësisht Njësia për Krime Ekonomike.

“Ne këtë kontratë e kemi çuar në polici, tek Krimet Ekonomike. Besoj se dikush duhet të japë llogari për këtë gjysmë milioni dëm të buxhetit të Ministrisë së Kulturës”, ka thënë ai.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë