Loading…

Kosova rrezikon të mbetet pa mjekë për një kohë të gjatë, edhe specializantët po ikin nga vendi

  • 02/08/2022 | 14:21

Kosova rrezikon të mbetet pa mjekë për një kohë të gjatë, edhe specializantët po ikin nga vendi

Kushtet jo të mira në punë, mos pagesa e ndërrimeve, paga të ulëta e shumë probleme të tjera me të cilat po përballen specializantët e për të cilat tash e një kohë të gjatë po kërkojnë zgjidhje, po bën që ata të largohen nga vendi.


Kërkesat e tyre drejtuar institucioneve shëndetësore të shtetit deri më tani kanë hasur në vesh të shurdhër.

E zgjidhjen edhe specializantët po e shohin te largimi nga vendi, në kërkim të një jete e zhvillimi të karrierës ku iu plotësohen të paktën kushtet elementare.

Gazeta Infokus ka kërkuar të dhëna se sa është numri i specialistëve që kanë ndërprerë specializimin në Klinikat e QKUK-së dhe cilat janë arsyet më të shpeshta për të cilat ata ndërpresin apo vazhdojnë specializimin jashtë vendit.

Ani pse në kërkesën drejtuar MSH-së, konkretisht Bordit Qendror për Shkollim Specialistik, Infokusi, ka kërkuar të dhëna konkrete për dy vitet e fundit përgjigjet e tyre nuk kanë qenë të plota.

Gjithsesi në të dhënat që kanë dërguar thuhet se janë 32 specializantë që kanë ndërprerë specializimin në Kosovë, duke lënë të nënkuptohet se janë shifra të vitit 2022.

Prej tyre 10 e kanë çregjistruar atë ndërsa 22 e kanë ndërprerë përkohësisht.

E sipas përgjigjes së MSH-së, arsye për largimin apo ndërprerjen e specializimit nga specializantët kanë qenë për çështje personale dhe punësim jashtë vendit.

Ndërsa specializimin apo stazhin janë duke e vazhduar 1 mijë e 239 specializantë.

Derisa nga MSH-ja nuk kanë caktuar datë se të dhënat e cilit vit janë ato që i kanë dërguar Infokusit, gjendja në terren po duket të jetë edhe më alarmante.

Blerim Syla, ish kryetar i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, në emisionin Doktor Plus që është prodhim i Gazetës Infokus, ka thënë se është vetëm një Klinikë e QKUK-së në të cilën nga 50 janë larguar 18 specializantë.

Madje ai ka ngritur shqetësimin se shumë shpejt në vitet në vijim Kosova do të rrezikojë të mbetet pa mjekë si pasojë e largimit dhe moshës mesatare të mjekëve specializantë e cila është rritur.

“Ne kemi statistika të tmerrshme, unë nuk po e jap se në cilën klinikë por po japi veç me një drejtim shëndetësor, kanë marrë 50 specializime, 18 përnjëherë kanë ikë. Prandaj çka po du me tregu me këtë. Në të njëjtën kohë po i ofendojmë, po i neglizhojmë dhe po i humbim si kuadro”, ka deklaruar ai.

E një fakt tjetër edhe më shqetësues është ajo se brenda 9 vitesh 1200 specializantë dalin në pension.

“Dhe shtetet tjera që kërkesat janë enorme për me i marrë këta mjekë, atëherë ne po humbim një gjeneratë të tanë. Një statistikë shumë skeptike brenda 9 viteve Kosovës i dalin në pension 1200 specialistë, na jemi krejt 3 mijë. Tash imagjinojë situatën me trendin e ikjes sot, kanë ikë nga një gjeneratë e tanë e dalin në pension, Kosova me të vërtet ka me lëngu nga një sëmundje e pashërueshme të cilën jemi ka e mbjellim ne vet si shoqëri”, ka thënë ai.

Ndërsa mësohet se së fundmi vetëm nga Klinika e Kardiologjisë janë larguar e pritet të largohen 7 specialistë.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë