Loading…

Kosova sërish pa progres substancial në Raportin e KE-së

  • 11/11/2016 | 14:07

Kosova sërish pa progres substancial në Raportin e KE-së

Instituti Demokratik i Kosovës në përputhje me misionin e saj, përmes një konference për media ka adresuar katër çështjet kryesore të theksuara në Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën.

Nga analizimi i këtij raporti sipas KDI-së, del se në shumicën e indikatorëve për matje të progresit të arritur, Kosova është “në fazë të hershme”, ashtu sikurse pozicionohej edhe në raportin e vitit që shkoi.

“Si rrjedhojë, Kosova nuk ka shënuar progres substancial as gjatë kësaj periudhe raportuese”, thanë sot KDI.

KDI vlerëson se integriteti i partive, më saktësisht financimi dhe raportimi financiar mbeten problematike dhe vlerëson se duhet të zhvillohet mbikëqyrje më e fuqishme dhe më e koordinuar e partive politike dhe financave të tyre. Një rekomandim të tillë KDI e ka bërë edhe të enjten në publikimin e ri të Transparency International në Bruksel, gjë që kërkohet edhe nga raporti i KE-së.

KDI ka rekomanduar të shmanget mbivendosja institucionale në luftimin dhe parandalimin e korrupsionit, e cila shkakton huti te qytetarët.

Sipas KDI, nga aspekti ligjor, mungesa e ligjit adekuat për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, edhe këtë vit është ripërsëritur dhe ka arritur pozitën e parë në renditjen e prioriteteve për Kosovën.

Në sferën e prokurimit publik sipas analizës së KDI-së, prapë sfidë mbetet transparenca e kontratave publike si dhe vonesat në  zbatim të prokurimit elektronik.

Sa i përket punës së Kuvendit të Kosovës, KDI i rekomandon Kuvendin për ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për të garantuar ushtrimin e rolit të vet mbikëqyrës ndaj Agjensive të pavarura, duke funksionalizuar mekanizmat mbikëqyrës dhe raportues. Po ashtu konsideron se Kuvendi duhet të bëj plotësim-ndryshimin e Rregullores së Punës ku do të parashiheshin afate të qarta  për rregullimin e procedurave të përshpejtuara për miratimin e ligjeve si dhe të garantohet pjesëmarrja e qytetarëve në procesin ligjbërës përmes organizimit më të madh të dëgjimeve publike.

Lidhur me reformën zgjedhore, KDI fton institucionet e Republikës së Kosovës të shfrytëzojnë ekspertizën e ofruar nga Komisioni i Venecias në këtë aspekt, si dhe të garantohet pjesëmarrja e partive opozitare gjatë punimeve për reformë zgjedhore.

Ndërsa, sa i përket procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, KDI kërkon nga Qeveria të jetë më transparente në procesin e zbatimit të marrëveshjeve dhe të garantojë gjithëpërfshirje në këtë proces.  KDI i rekomandon Kuvendit të jetë më e angazhuar në ushtrimin e rolit të tij monitorues ndaj Qeverisë dhe të ofroj kontributin e tij në këtë proces. KDI gjithashtu kërkon nga institucionet e vendit, përkatësisht nga Qeveria dhe Kuvendi që të artikulojnë qartë efektet e pritshme të marrëveshjeve të arritura në jetën e qytetarëve dhe të garantojnë pjesëmarrjen e qytetarëve në këtë proces./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë