Sipas një analize të Institutit GAP, të publikuar më pas edhe në formë grafikoni në faqen zyrtare të Institutit në Facebook, Kosova ka importuar 371.6 milionë euro nga Serbia gjatë vitit 2022.
Kosova ka importuar nga Serbia më 2022, më së shumti pije freskuese, në vlerë prej 54.6 milionë euro.
Produkti i dytë që kemi importuar nga Serbia në vlerë prej mbi 30 milionë euro, është gruri.
Sipas këtij studimi të GAP-it, mes produkteve tjera që Republika e Kosovës, ka importuar mjaft shumë janë edhe vaji ushqimor në vlerë prej mbi 15 milionë euro, benzinë dhe vajra poashtu në vlerë mbi 30 milionë euro, biskota në vlerë prej mbi 11 milionë euro, konteinerë, misrër, ushqime për kafshë e deri në shufra çeliku.
Ndërkohë që Kosova ka eksportuar në Serbi mallra në vlerë prej 60.7 miionë euro.
Mes produkteve që janë eksportuar në Serbi, ka edhe mana, linjit, luleshtrydhe, energji elektrike, etj.
Kujtojmë se kryeministri Kurti, është kritikuar në vazhdimësi për rritjen e eksporteve nga Serbia, nën udhëheqjen e tij.
Avdullah Hoti, ish-kryeministër dhe ish-ministër i Financave, në vazhdimësi ka kritikuar Qeverinë Kurti për rritjen e jashtëzakonshme të importit nga Serbia.
“Nëse e analizojmë tregtinë me vendet e Ballkanit Perëndimor, shohim se importet me të gjitha këto vende janë ulur pa përjashtim, përveç me Serbinë. Dikush mund të thotë se tregtia është e lirë dhe ajo i përcakton importet dhe eksportet. Dakord jam me këtë. Por tregtia e lirë ka ekzistuar edhe në vitet kur këta që sot qeverisin i rrotullonin kamionët me mallra nga Serbia”, shkruan Hoti më 5 dhjetor 2002.
Për rritjen e importit nga Serbia, opozita madje ia kujton shpesh Kurtit dhe aksionet e famshme të rrëzimit të kamionëve nëpër pika kufitare, me mallra serbe.