Loading…

Kosovarët drejt bregdetit shqiptar: Mjekët në kufi e kanë të pamundur t’i kontrollojnë të gjithë për Covid-19

  • 02/08/2020 | 11:00

Kosovarët drejt bregdetit shqiptar: Mjekët në kufi e kanë të pamundur t’i kontrollojnë të gjithë për Covid-19

Edhe gushti ka nisur me një fluks të lartë në pikën kufitare të Morinit ndërkohë që në korrik mesatarja ditore e kalimeve në kufi drejt Shqipërisë dhe anasjelltas i kaloi mbi 10 mijë. Por gushti pritet të sjellë një mesatare ditore më të madhe për shkak se lëvizjet e shqiptarëve të Kosovës do të jenë më të mëdha. Por ky fenomen shihet si shqetësim nga autoritetet shëndetësore të Kosovës.


Fadil Kryeziu, drejtor rajonal i Shëndetit Publik në Prizren thotë se qytetarët e Kosovës që po lëvizin gjatë kësaj periudhe në dy anët e kufirit shihen si bartës kryesor të COVID-19, si për Kosovën dhe Shqipërinë dhe ekipet mjekësore në kufi e kanë të pamundur të kontrollojnë të gjithë udhëtarët, ndaj duhet të shihet një mundësi e re për të kontrolluar situatën e cila po rrit me shpejtësi numrin e të infektuarve.

“Edhe kur testohen nuk na informojmë. Më shqetësues është numri i madh që shkojnë tutje, edhe e bartin edhe e sjellin në anën e kundërt infeksionin. Ne kemi ekip mjekësor që monitorojnë 24 orë, sidomos rastet që vijnë, por është e pamundur teknikisht që të depistohen rastet kur brenda një periudhe të shkurtër kalojnë 6 mijë persona. Për këtë arsye do të ishte më mirë të merren masa të tjera shtrënguese, pse jo edhe te heqja e ekipeve mjekësore por të ndiqen rastet, prej rastit në rast, që të kontrollojmë rastet e infeksionit” tha Fadil Kryeziu.

Korriku sapo u mbyll, për Kosovën shënoi numrin me të lartë të të prekurve dhe viktimave nga koronavirusi. Po ashtu edhe në Shqipëri. E pavarësisht kësaj situate qytetarët e Kosovës nuk e kanë frenuar lëvizjen për pushime drejt Shqipërisë. Edhe fundjava e parë e muajit gusht ka shënuar një fluks të jashtëzakonshëm të hyrjeve në Shqipëri të qytetarëve Kosovarë me destinacion bregdetin shqiptar. Mësohet se këtë fundjavë (e shtunë e diel) kanë hyrë rreth 50 mijë pushues kosovarë.

Fluks ka pasur edhe në dy ditët e fundit të korrikut që përkoi edhe me festën e Kurban Bajramit. Bazuar në të dhënat e Policisë së Kosovës, mbi 12 mijë kosovarë kanë hyrë në Shqipëri, në fund të korrikut. Kujtojmë se në kufirin me Shqipërinë, Ministria e Shëndetësisë e Kosovës rishikoi vendimin dhe përjashtoi qytetarët e dy vendeve nga masat shtrënguese për kontrollet në kufi në kuadër të situatës me COVID-19.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë