Loading…

Kosovarëve vazhdon t’iu rëndohet jeta, edhe gushti nis me rritje të çmimeve

  • 03/08/2022 | 15:50

Kosovarëve vazhdon t’iu rëndohet jeta, edhe gushti nis me rritje të çmimeve

Edhe muaji gusht ka nis keq për qytetarët e Kosovës. Shtrenjtimi i produkteve ushqimore vazhdon të ndodh për çdo ditë. Rritje të çmimeve në ditët e para të këtij muaji janë vërejtur tek qumështi, djathi, jogurti, patatet e kafeja. Rritje kanë pësuar edhe nafta e benzina.


Ditët e nxehta të muajt gusht po bëhen edhe më të rënda për qytetarët e Kosovës.

Çmimi i produkteve ushqimore ka pësuar rritje në ditët e para të këtij muaji.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës lëvizja e çmimeve është vërejtur tek qumështi, djathi, jogurti, patatet e kafeja. Po ashtu, këto ditë janë shtrenjtuat edhe nafta e benzina.

E vezët tashmë e kanë kaluar çmimin prej 4 euro.

Jogurt – Mu, 1 litër tash është duke u shitur më 1,18 centë, derisa ditë më parë ishte 1,15.  Djathë – Rugove, 800 gr aktualisht kushton 5,64 euro, kurse ditë më parë ishte 5,61 euro. Vezë – Konson, 30 copë janë duke u shitur më 4,09 euro. Kurse, patatja e re, 1 kg, tash kushton 0,58 euro, ditë më parë ishte 0,51 euro.  Benzina, 1 litër është duke u shitur më 1,56, ditë më parë ishte 1,55. Nafta 1 litër është duke u shitur më 1,72, kurse ditë më parë ishte 1,71”, ka treguar ASK në raportin ditor të çmimeve.

Kujtojmë se inflacioni në Kosovë ka arritur në mbi 14%, dhe kjo është rritja me e madhe që nga paslufta.

Produktet që janë shtrenjtuar më së shumti janë buka, drithërat, mishi, pemët dhe karburantet. Agjencia e Statistikave ka treguar se vetëm në qershor çmimet janë rritur për 1,4 për qind.

Në raportin e publikuar më 12 korrik, thuhet se rritja e çmimit të karburanteve arriti në 15.4 për qind, krahasuar me muajin maj apo 67,3% për dallim nga qershori i 2021-s.

“Buka dhe drithërat (1,1%), mishi (1,4%), pemët (3,0%), sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat (2,2%), kafja, çaji dhe kakao (2,3), pijet alkoolike (1,5%), lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (6,0%),mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (1,8%), karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (15,4%), shërbimet për transport (5,9%), pushime të organizuara (4,1%), shërbimet hoteliere (2,3%)”, shkruan Demokracia.com.

E për rritjen e inflacionit, pati reaguar ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, duke thënë se rritja e dukshme e çmimeve vërehet te produktet kryesore si vajrat dhe yndyrat ushqimore.

“Çmimet në qershor 2022 u rritën mesatarisht 14% krahasuar me qershorin e vitit të kaluar. Por, për produktet kryesore rritja ishte shumë më e madhe: Vajrat dhe yndyrat ushqimore (53,8%), karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (67,3%), gazi (39,3%), buka dhe drithërat (27,7%), qumështi, djathi dhe vezët (22,3%), etj.”.

Më tej, Hoti pati thënë se ata nuk do të ndalen dhe do të vazhdojnë ta mbajnë përgjegjëse qeverinë për mosveprim.

“Nuk do të ndalemi. Do ta mbajmë përgjegjëse qeverinë dhe mazhorancën për mosmarrjen e asnjë veprimi për të zbutur krizën nga rritja e çmimeve”, tha Hoti.

Kujtojmë se Qeveria Kurti muajin e kaluar kishte vendosur çmime tavan për derivate të naftës, por që tashmë është larguar. Të njëjtën gjë ka paralajmëruar se do ta bëjë edhe me produktet të tjera bazike.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një deklarim për media pati  thënë se kur qytetarët kanë shpresë atëherë shpenzojnë më shumë sesa kursejnë. Sipas tij, kur qytetarët e një vendi shohin se nuk ka korrupsion në Qeveri, kanë më shumë gatishmëri që të paguajnë taksat.

“Kur njerëzit kanë shpresë atëherë shpenzojnë më shumë sesa kursejnë, dhe kur shohin se nuk ka korrupsion në qeveri kanë më shumë gatishmëri që të paguajnë taksat, tha ai, gjersa si arsye të qëndrueshme për investime në Kosovë përmendi pozitën e favorshme gjeografike, popullatën e re, kreative dhe të talentuar, njohjen e mirë të gjuhës angleze, shtrirjen e gjerë të rrjetit të internetit e politikën stabile fiskale”.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë