Zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramiz Kelmendi u shpreh se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që të avancoj maksimalisht shkëmbimin tregtar mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Përmes një njoftimi të zyrës së kryeministrit thuhet se në takimin e sotëm mes Kelmendit dhe kryetares së Bashkisë së Sarandës, Florjana Koka dhe nënkryetarit Kristo Kiço, u bisedua për bashkëpunimin e këtyre vendeve, për të arriturat në fushën e zhvillimit ekonomik, turizmit, si dhe për mbështetjen në sektorin e bujqësisë në veçanti.
“Ne së bashku ta ndërtojmë një treg unik, për të cilin nuk na pengon askush dhe ky treg të jetë treg i fuqizimit të dy prodhimtarive, të Kosovës dhe Shqipërisë”, citohet të ketë thënë zëvendëskryeministri Kelmendi.
Ndërsa kryetarja e Bashkisë së Sarandës, Florjana Koka kërkoi bashkëpunim të përkushtuar në fushën e ekonomisë.
“Kemi ardhur në Prishtinë së bashku me një ekip nga Bashkia e Sarandës, drejtues të bizneseve dhe sipërmarrës të sferave të ndryshme të biznesit, për të bërë një prezantim të asaj se çfarë mund të bëjmë ne në këtë drejtim dhe për të marrë një shije te të gjithë ata investitorë, biznesmenë të Kosovës, për të ardhur dhe shtuar këmbimet e deritanishme”, tha kryetarja Koka./gazetametro.net