Loading…

KOSTT: 33 milionë euro parashihen të shpenzohen për rrymën në veri më 2022

  • 23/11/2021 | 17:05

KOSTT: 33 milionë euro parashihen të shpenzohen për rrymën në veri më 2022

Në periudhën e fundit, Qeveria dhe Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës, KOSTT kanë paguar për rrymën e shpenzuar në veri të Kosovës 27.7 milionë euro.


Kështu ka bërë të ditur kryetari i Bordit të KOSTT, Jeton Mehmeti gjatë raportimit sot në Komisionin për Ekonomi, ku theksoi se vetëm për vitin 2021 janë ndarë nga KOSTT 17.8 milionë euro për mbulimin e humbjeve të energjisë në atë pjesë.

Këto shpenzime sipas Mehmetit, janë shtuar për shkak të rritjes së konsumit dhe shtrenjtimit të energjisë elektrike.

“Shqetësuese është faza që në kemi hyrë, në muajin e dhjetë dhe muaji i njëmbëdhjetë. Në muajin e dhjetë, çmimi mesatar ka qenë 171 euro për megavat në orë dhe vlera ka shkuar 5 milionë 827 euro vetëm për një muaj. Ndërsa, në muajin e njëmbëdhjetë deri më 16.11.2021 çmimi mesatar i një megavati në orë është 193 euro, që do të thotë çmimi vetëm për dy javë ka shkuar 3 milionë e 295 euro. Pra, në total deri tash janë paguar 17 milionë e 806 mijë euro. Kostoja totale nga dhjetori deri më 16 nëntor kostoja totale për veriun është 27 milionë e 608 mijë euro, duke përfshirë edhe pjesën e ndarë prej Qeverisë të ndara 10 milionë euro, ndërsa, kostoja e ndarë nga buxheti vetanak me vendim të bordit është 17 milionë e 806 euro”, tha Mehmeti.

Kryetari i Bordit të KOSTT-it ka thënë se prej datës 16 nëntor janë ndërprerë pagesat për rrymën e shpenzuar në katër komunat veriore.

“Duke pasur parasysh këtë situatë të cilën ne ndodhemi tash, ne kemi dashur ta respektojmë afatin kohor prej 6 muajve dhe kemi bërë pagesa për 6 muaj. Prej datës 16 nëntor ne kemi ndërprerë pagesat, ne nuk kemi ndarë më mjete dhe ne kemi filluar me devijime, të cilat nuk bien në sy dhe nuk e dëmtojnë shumë marrëveshjen KOSTT-ENTSO-E. Por, kjo nuk do të thotë që nuk duhet të paguajmë prapë, sepse këto devijime në I sjellë në fatura ENTSO-E dhe ne jemi të obliguar me ligj, me marrëveshje, si dhe me licencë që ne t’i mbulojmë devijimet… Nëse ne vazhdojmë vetëm edhe dhjetorin ta mbulojmë, ne do ta përmbyllim vitin 2021 me një humbje për KOSTT-in prej 18 milionë euro”, theksoi ai.

Mehmeti ka kërkuar një zgjidhje alternative buxhetore për çështjen e pagesës, duke thënë se 33 milionë euro parashihet shuma e shpenzimeve të rrymës në veri për 2022.

“Alternativa e vetme për momentin konsiston në atë që të ndahet një linjë buxhetore për vitin 2022. Nuk e di se kur mund të zgjidhet çështja e kompanisë “Elektrosever”, mirëpo ne i kemi bërë disa kalkulime të cilët thonë që për vitin 2022 në bazë të çmimeve të cilat ne i kemi tani llogariten rreth 33 milionë e 982 mijë euro. Nëse zgjidhet kjo çështje në janar, e shpresoj që të zgjidhet dhe Kosova mos të paguajë dhe të mos ketë kësi lloj obligime financiare. Alternativa e vetme është të ndahen mjete të paktën për pjesën e parë ose tremujorin e parë 2022, sepse KOSTT-i nuk mundet më t’i përballojë, sepse më 1 janar ne nuk kemi mundësi të marrim përsipër këtë përgjegjësi”, tha ai.

Në këtë raportim, nuk munguan as përplasjet ndërmjet pozitës dhe opozitës për pagesën e rrymës në veri.

Deputetja Mimoza Kusari-Lila duke iu përgjigjur kryetarit të këtij Komisioni, Ferat Shala për mos zgjidhjen e kësaj çështje brenda 6 muajve të premtuar në bazë të rekomandimeve të nxjerra nga Kuvendi në maj të këtij viti, tha se ndoshta është çështje javësh kur qeveria do të bën zgjidhjen për veriun.

“Kjo qeveri për nëntë muaj është duke u marrë intensivisht, edhe ne po e presim, ndoshta çështje javësh që ta kemi zgjidhjen për situatën në të cilën një qytetar që ka vendbanim në Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok, Mitrovicë e veriut i vjen fatura dhe e paguan njëjtë sikurse çdo qytetar në secilën pjesë tjetër Kosovës. Por, ju për të rënduar bisedën deri në rrethanat në të cilat shkojmë edhe për tej asaj duke i fabrikuar gjëra, po abstrahojmë përgjegjësinë”, theksoi ajo.

Ndarja e mjeteve nga projektbuxheti për vitin 2022 për pagesën e rrymës në veri, deputeti Armend Muja ka thënë se është e pamundur, siç tha ai nuk janë “karamele”.

“Ajo që deputeti Shala po i thotë politikë e madhe, në fakt në ligj nuk është paraparë dhe qeveria nuk mund të alokojë mjete. Ne nuk mundemi të veprojmë jashtë ligjit sikurse qeveritë në të kaluarën, nuk mund t’i falim dikujt, ajo parashihet me ligjin për ndarjen buxhetore. Unë jam kryetar i Komisionit për Buxhet, por nuk mund ta shkeli ligjin. Nuk mund të alokojmë, se nuk janë karamele, por është një proces i ndarjes buxhetore”, tha ai.

Kryetari i Komisionit, Ferat Shala ka insistuar që mjetet për veriun të ndahen nga buxheti 2022 dhe jo nga KOSTT. Madje, ai ofroj mbështetje nëse ka ndonjë propozim nga qeveria për ndarjen e mjeteve nga buxheti për veriun.

“Unë pajtohem, dhe jam për ta futur këtë pagesë me ligj, pse s’e keni sjellë projektligjin aktual për t’i mbuluar. Po e konfirmoj. Ligji ka ardhur dhe ju nuk e keni paraparë asnjë cent për të mbuluar shpenzimet që i keni premtuar me rekomandime”, tha Shala.

Deputeti nga AAK, Pal Lekaj theksoi se ndarja e 6.7 milionë euro përveç atyre 11 milionë që janë me autorizim të Kuvendit, është shqetësuese.

“Nga ajo që kemi informacione ju keni bërë pagesë edhe për 6.7 milionë shtesë, që bie se ju do të paguani 17.7 milionë euro. Kjo është diçka që na bënë të shqetësohemi për veprimet që po merren dhe po paguhen për ata që janë të pandërgjegjshme në veri të Kosovës dhe kjo po bëhet drejtpërdrejt nga KOSTT që nuk ka qenë praktikë e më hershme”, tha Lekaj.

Kryetari i Komisionit Ferat Shala, duke komentuar shumat e larta për mbulimin e humbjeve në veri, tha se Qeveria është dashur t’i zbatojë rekomandimet e Kuvendit për gjetjen e një zgjidhje për gjashtë muaj.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë