Kandidati i tërhequr Naim Bazaj është bërë shkaktar që Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) t’i përsërisë shkeljet ligjore dy herë radhazi.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) brenda katër ditësh ka anuluar dy vendime të Komisionit Qendror Zgjedhor, që kanë të bëjnë me decertifikimin e kandidatit për kryetar të Drenasit, Naim Bazaj, shkruan sot Koha Ditore.
Pas të shtunës së kaluar, PZAP-ja ka anuluar sërish të martën vendimin e KQZ-së, i cili me gjithë konstatimin e shkeljeve ligjore nuk u tërhoq nga përpjekja për ta decertifikuar Bazajn. Sipas vendimit, kërkesën për decertifikim Bazaj e ka bërë 24 orë para tërheqjes së shortit, ndërkaq ligji kërkon që kjo të bëhet 48 orë më herët. Tani KQZ-ja nuk ka të drejtë të vendosë për të njëjtën çështje, tri herë. Për ta kundërshtuar vendimin e PZAP-së, KQZ-ja mund t’i drejtohet me ankesë Gjykatës Supreme. Gazeta ka provuar të marrë një qëndrim nga kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, por ajo nuk është përgjigjur. KQZ-ja pritet të mblidhet të mërkurën për të diskutuar rreth kësaj çështjeje.