Deputeti i Vetëvendosjes Frashër Krasniqi ka thënë se fjalimi i djeshëm në Kuvend për komandantët e luftës, kishte qenë i drejtuar për milionerët e koalicionit PAN dhe jo luftëtarëve të vërtetë.
Përmes Facebook-ut, Krasniqi thekson se ata qëllimisht i ndezën shoqatat e veteranëve dhe militantët, “në mënyrë që të fshehin veten dhe krimet ekonomike të tyre prapa UÇK-së”.
Postimi i Krasniqit në Facebook:
Klani Pronto dhe koalicioni i tyre e dinë mirë për kë e kisha fjalën dje. E dinë mirë që iu drejtova milionerëve të PAN-it, por qëllimisht i ndezën shoqatat e veteranëve dhe militantët, në mënyrë që të fshehin veten dhe krimet ekonomike të tyre prapa UÇK-së.
Ata po ashtu e dinë mirë se:
– Luftëtarët e vërtetë të UÇK-së jetojnë në kushte të rënda dhe s’flet kush për ta, sepse DISA “komandantë” (që janë pjesë e PAN-it) i kanë bërë milionat në kurriz të qytetarëve.
– Luftëtarëve të vërtetë të UÇK-së fëmijët po u ikin jashtë Kosovës, ngase fëmijët e DISA “komandantëve” – si Hashim Thaçi, me paratë tona i kryejnë pushimet në Dubai.
– Luftëtarëve të vërtetë të UÇK-së fëmijët u mbesin pa punë, ngase për punësim në Kosovë pyeten djemtë e DISA “komandantëve” – si Adem Grabovci.
– Luftëtarët e vërtetë të UÇK-së marrin pensione përbuzëse, ngase DISA “komandantë” për të fituar vota kanë dy-trefishuar numrin e veteranëve të regjistruar.
Boll jeni fshehur prapa UÇK-së, ndërkohë që e keni braktisur çdo vlerë e ideal të luftës sonë çlirimtare. Askush nuk po ua mohon vitet e luftës por UÇK-ja ka qenë e popullit.
Megjithëse do të dëshironit që ashtu siç keni privatizuar gjithçka, ta privatizoni edhe UÇK-në, UÇK-ja nuk ka qenë dhe asnjëherë nuk do të jetë pronë e juaja private.
Krenar me luftën e drejtë të UÇK-së që kurrë askush nuk do të mund ta përdhosë!”.