Publicisti Milazim Krasniqi ka thënë se këto zgjedhje janë më të rëndësishmet që nga paslufta, sa i përket relacioneve me Serbinë.
Në një shkrim autorial, ai thotë se duhet një herë e përfundimisht të ndahen rrugët dhe të hiqet qafe ndikimi i Serbisë nga jashtë.
“Nëse në krye të qeverisë së re të Kosovës vjen një person i fortë si Ramush Haradinaj, ndërsa kryetar i Kuvendit mbetet Kadri Veseli, Serbia e kupton më lehtë se të gjitha investimet që ka bërë për ta rritur ndikimin e saj në politikë, në medie e në shoqërinë e Kosovës pas vitit 1999, i kanë shkuar dëm. Nëse në krye të qeverisë vjen personi të cilin ata e kanë ndjekur me lloj-lloj “poternicash”, ata e kuptojnë më lehtë se Kosova më kurrë nuk mund të kthehet nën kontrollin serb e rus. Bile, me Haradinajn kryeministër, Serbia do të detyrohet të bisedojë me tone të tjera me Kosovën, nëse synon integrimin në Bashkimin Evropian. Thjesht, nuk mund të llogaritë në instrumentet që ka përdorë deri tash, destabilizim e mbase edhe korruptim të disa akterëve politikë”, shkruan ai.
Sipas tij, mesazhi kryesor që do të përçojnë po ashtu këto zgjedhje është edhe partneriteti më i fuqishëm më partnerët e mëdhenj ndërkombëtar.
“Zgjedhjet e 11 qershorit 2017 do të tregojnë nëse Kosova do të fuqizohet nga brenda e do të bëhet partnerë kredibilë me SHBA, NATO e BE e t’i bindë ashtu armiqtë se nuk do të zhbëhet kurrë, ose do të tregojnë se si do të thellohet kriza, si do të rritet dyshimi i aleatëve në mundësitë e Kosovës e si do të rriten apetitet e armiqve, për ta gllabëruar në kthesën e parë të ndryshimit eventual gjeopolitik në favor të pansllavizmit. Për këtë arsye këto janë zgjedhjet më të rëndësishme të Kosovës, që nga viti 2000 e deri sot”, ka shkruar ai.