Loading…

Krasniqi: Kosova të kërkojë ekstradimin e terroristëve serbë, aleatët të rrisin presionin që Serbia t’i dorëzojë ata

  • 28/09/2023 | 11:58

Krasniqi: Kosova të kërkojë ekstradimin e terroristëve serbë, aleatët të rrisin presionin që Serbia t’i dorëzojë ata

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, në fjalimin e tij në seancën e sotme plenare ka folur për sulmin terrorist nga grupi i armatosur serb ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku, shkruan Gazeta Metro.


Në seancën e sotme Krasniqi ka bërë thirrje që Kosova të kërkojë ekstradimin e terroristëve serbë dhe bashkësia ndërkombëtare ta rris presionin që Serbia t’i dorëzojë ata.

“Prandaj sot para të gjithave është e rëndësishme që Kosova të kërkojë ekstradimin e terroristëve që planifikuan e realizuan sulmin mbi shtetin tonë. Në këtë aspekt kërkojmë edhe mbështetjen e aleatëve tonë ndërkombëtarë që duhet të rrisin presionin mbi Serbinë për t’i dorëzuar ata”, tha Krasniqi.

Lideri i PDK-së ka thënë se është krejtësisht e qartë se organizimi dhe orkestrimi i sulmit terrorist mbi Republikën e Kosovës adresën kryesore e ka në Beograd.

“Konfirmimi i përfshirjes së Milan Radojçiqit në këtë aksion, armatimi i sofistikuar dhe i shumtë i terroristëve, strehimi i tyre në Serbi pas sulmit dhe lartësimi i tyre si heronjë nga institucionet zyrtare të Beogradit, përfshirë shpalljen e ditës së sotme si ditë zie për ta – tregojnë për lidhjen e fortë të këtij grupi terrorist me shtetin e Serbisë”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka thënë se sot, para se gjithash, është tejet e rëndësishme që Kosova të kërkojë ekstradimin e terroristëve të cilët planifikuan dhe realizuan sulmin terrorist mbi shtetin tonë. Në këtë aspekt, kërkoj mbështetjen e plotë të aleatëve tanë ndërkombëtarë, të cilët duhet të rrisin presionin mbi Serbinë për t’i dorëzuar ata.

“Dorëzimi i terroristëve nga ana e shtetit serb, me në krye kriminelin Millan Radojçiq tek autoritetet kosovare duhet të jetë hapi i parë në rrugën përpara. Ata duhet të marrin dënimin e merituar për krimin që kanë realizuar në Kosovë. Heroi ynë i rënë, rreshteri Afrim Bunjaku, meriton drejtësi dhe është detyra jonë morale të sigurojmë që përgjegjësit të përballen me pasojat”, ka thënë Memli Krasniqi.

Ai ka thënë se në periudha sfiduese si kjo, kur është cënuar integriteti territorial, sovraniteti i shtetit tonë dhe siguria e qytetarëve tanë, për PDK-në, siç ka qenë gjithmonë, interesi nacional i vendit është dhe do të mbetet mbi të gjitha.

“Si PDK, i kemi ofruar mbështetjen tonë të plotë të gjitha institucioneve të sigurisë në përballje me këtë situatë. Objektivi ynë është të mbrojmë atdheun tonë dhe të garantojmë sigurinë e çdo qytetari kosovar – pa dallim feje apo etnie. Prandaj, në këtë periudhë, është thelbësore që të gjithë faktorët politikë, posaçërisht ata shqiptarë, të lënë mënjanë mosmarrëveshjet dhe të qëndrojnë së bashku në mbështetje të vendit tonë”, ka thënë lideri i opozitës.

Memli Krasniqi ka thënë se do të vijë edhe një kohë për beteja të brendshme, por sot është koha për solidaritet.

“Si parti shtetndërtuese dhe shtetformuese, PDK është e përkushtuar që interesat e Kosovës dhe qytetarëve të saj t’i vë mbi gjithçka”, ka thënë ai.

Krasniqi u ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të nisë një hetim ndërkombëtar emergjent për të vërtetuar përfshirjen e shtetit serb në sulmin terrorist mbi Kosovën. Ne tashmë jemi të bindur – por duam që me fakte të bindet edhe bashkësia ndërkombëtare.

“Pa u zbardhur e vërteta e plotë e këtij rasti dhe Serbia të marrë dënimin e merituar, Serbia nuk mund të jetë palë as e dashur dhe as e besuar për asnjë lloj procesi përpara. Është jetike që Bashkësia Ndërkombëtare të njohë agresionin e vazhdueshëm të Serbisë ndaj Kosovës, pasi kjo po vazhdon të cenoj integritetin dhe sovranitetin tonë territorial” ka thënë Krasniqi.

Në fund të fjalimit të tij, Krasniqi ka shprehur respektin e tij për organet e sigurisë së vendit, posaçërisht për Policinë e Kosovës.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë