Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, me një postim në rrjetin social Facebook, ka kujtuar masakrën e Krushës, ku forcat serbe kishin vrarë 243 civilë, shkruan Gazeta Metro.
Në kujtimin e tij, Krasniqi theksoi se mungesa e drejtësisë për këtë rast, është plaga që ende dhemb për të gjithë.
Si shembull të “mosdorëzimit” Krasniqi mori gratë e Krushës së Madhe, të cilat edhe pse të vetme, gjetën forcë të ringihen përsëri.
Postimi i plotë:
25, 26 e 27 marsi 1999 ishin ditët më të trishta për banorët e Krushës së Madhe. 24 vite më parë forcat serbe vranë e masakruan 243 civilë të pafajshëm të këtij fshati.
Mungesa e vënies së drejtësisë për viktimat e kësaj masakre, është plaga që dhemb aq shumë, jo vetëm për familjarët e tyre, por për tërë Kosovën.
Megjithatë, gratë e Krushës së Madhe, përkundër që humbën më të dashurit e tyre, gjetën forcën të ringrihen me punë e dashuri për vendin, duke u bërë shembull i mosdorëzimit. Lavdi për të rënët e Krushës së Madhe!./gazetametro.net