Loading…

Krasniqi për LDK’në: Mund ta presë ndonjë ‘cunami’ elektoral, i cili e rrezikon ta fshijë nga skena politike

  • 06/03/2021 | 22:54

Krasniqi për LDK’në: Mund ta presë ndonjë ‘cunami’ elektoral, i cili e rrezikon ta fshijë nga skena politike

Njëri ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Milazim Krasniqi konsideron se LDK-në e ka dëmtuar dhe gjunjëzuar mungesa e guximit dhe e vullnetit që të ballafaqohet me vlerësimin kritik të punës së saj.


“LDK-në  e ka dëmtuar dhe gjunjëzuar mungesa e guximit dhe e vullnetit që të ballafaqohet me vlerësimin kritik të punës së saj në fundin e viteve 90, kur ajo ka pasur përgjegjësi direkte, që nuk e ka marrë përgjegjësinë për ta udhehequr vendin në gjendjen e luftës, që iu imponua nga Serbia. Mungesa e atij vlerësimi, bëri që LDK-ja të fajësohej për sabotimin e luftës çlirimtare, për moskrijimin e një qeverie të unitetit menjëherë pas çlirimit dhe për mosgjetjen e mënyrës se si të parandolohej dhuna politike ndaj anëtarëve të saj”, ka thënë Krasniqi për IndeksOnline.

Sipas tij, si pasojë e këtij abstenimi, filloi barikadimi, refuzimni i reformave në parti dhe seleksionimi negativ i kuadrove.

“Veç kujtojini ministrat në qeverinë e parë të pasluftës dhe e kini të qartë se si filloi degëdisja. Deri sa ishte Rugova, ajo gjendje maskohej disi, por pas vdekjes së tij shpërtheu lufta për pushtet në LDK, e cila e përgjysmoi partinë. Sikur nuk mjaftoi ajo krizë, pas një kohe, erdhi të krye të saj Isa Mustafa, një person krejt i ndryshëm nga fryma rugoviste. Isa Mustafa instaloi metoda veprimi që më shumë ishin të ish LKJ se sa të LDK-së tradicionale. Kjo prodhoi konflikte me disa nga figurat e LDK-së, të cilat e braktisën në zgjedhjet e fundit, duke kaluar në listën e LVV. Pra, është një krizë e gjatë, e prolonguar, por që tash e ka arritur pikën kritike”, ka theksuar ai.

Krasniqi konsideron se dëmin më të madh ia ka bërë mungesa e vullnetit për reforma në vitin 2000, pastaj largimi i Dacit, instalimi i panatyrshëm i Isa Mustafës si kryetar dhe së fundi largimi i Vjosa Osmanit.

Njohësi i çështjeve politike në vend, thotë se LDK mund të presë ndonjë ‘cunami’ i cili mund të rrezikojë ta fshijë nga skena politike, ashtu siç edhe ka ndodhur me disa parti të tjera.

“Kriza e tashme e LDK është totale dhe nuk mund të tejkalohet me një individ. LDK duhet të ndërrojë statutin jodemokratik, i cili pengon garën, duhet të mbajë zgjedhjet në të gjitha nivelet me parimin “një anëtarë një vote” dhe duhet të bëjë përgjegjës ata që e kanë sjellë në këtë krizë, me distancim të prerë prej tyre. Nëse nuk ndiqet kjo rrugë, do të bëhet ndonjë fasadim i krizës. Por, në atë rast, në zgjedhjet lojale të fundvitit, LDK mund ta presë ndonjë cunami elektoral, i cili e rrezikon ta fshijë nga skena politike, siç janë fshirë disa parti, që njëherë  një kohë kanë qenë me ndikim”, thekson ai.

“LDK-ja është në krizë të thellë dhe duhet shumë punë e shumë mençuri për ta rikthyer  fuqinë dhe ndikimin e saj”, ka shtuar ai.

Ndryshe, fituesi i zgjedhjeve të 14 shkurtit është Lëvizja Vetëvendosja, që ka marrë 58 ulese në Kuvendin e Kosovës.

Ndërsa e dyta në zgjedhje, Partia Demokratike e Kosovës, mori 19 ulese në Kuvend. Pas PDK-së, vjen LDK-ja me 15, Lista Serbe me 10, komunitetet joserbe me 10 dhe AAK-ja me 8 ulese.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë