Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka takuar Presidentin e Institutit Demokratik Amerikan (NDI), Derek Mitchell si dhe përfaqësuesit e tjerë të këtij instituti, shkruan Gazeta Metro.
Krasniqi i ka njoftuar ata për suksesin e PDK-së në Zgjedhjet Lokale si dhe njëkohësisht i ka falënderuar ata për kontributin e tyre që po e japin në Kosovë.
“Pata kënaqësinë të pres sot në zyrat e PDK-së, Presidentin e Institutit Demokratik Amerikan (NDI), Derek Mitchell, të shoqëruar nga drejtori i NDI për Evropë, Robert Benjamin, drejtoresha e Zyrës në Kosovë, Nancy Soderberg dhe zyrtarët e lartë të programeve të NDI në Kosovë, me të cilët diskutuam lidhur me procesin zgjedhor në Kosovë dhe zhvillimet aktuale.
Gjatë këtij takimi biseduam për sukseset e arritura nga kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës në Zgjedhjet Lokale. Tutje, folëm për përgatitjet dhe mobilizimin që po e bëjmë për garën zgjedhore në komunat, ku kandidatët e PDK-së janë në balotazh.
Përfaqësuesit e NDI, i falënderova për ndihmën e vazhdueshme që ky institut ka dhënë dhe po vazhdon ta japë në Kosovë. Në veçanti, atyre u shpreha mirënjohje për bashkëpunimin e ngushtë me PDK-në”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e tij në Facebook. /gazetametro.net