Ish-Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, bëri të ditur se ka udhëtuar drejt Hagës për të zhvilluar një takim me ish-udhëheqësin e kësaj partie, Kadri Veseli, transmeton Gazeta Metro.
Krasniqi vlerësoi qëndrimin e Veselit dhe bashkëveprimtarëve të tij gjatë periudhës së gjatë të përballjes me drejtësinë, duke theksuar se ata vazhdojnë të shfaqin maturi, integritet dhe besim në epilogun e procesit.
Sipas Krasniqit, ish-kreu i PDK-së mbetet i vendosur në bindjet e tij dhe i lidhur ngushtë me vendin, ndonëse përballet me mungesën e familjes dhe qytetarëve. Ai ka theksuar gjithashtu se zvarritjet e vendimmarrjes e rëndojnë edhe më shumë situatën për të akuzuarit dhe të afërmit e tyre.
“Vazhdojmë të besojmë fuqishëm në pafajësinë e tyre dhe në të drejtën që ky proces të përfundojë sa më shpejt, me një vendim të drejtë, të pa ndikuar dhe përfundimtar”, shkroi ai./gazetametro.net