Policia e Kosovës me një komunikatë për media, kanë sqaruar gjithë at se çfarë ka ndodhur sot, shkruan Gazeta Metro.
Qëllimi i krejt këtij operacioni sipas tyre ishte asistimi i kryetarëve të komunave Zveqan, Leposaviq dhe Zubin Potok që të ushtrojnë detyrat e tyre.
Meqenëse qytetarët ishin mbledhur në shenj proteste para komunave, njësitet e policisë u kanë njohur të drejtën e protestës, por që të njëjtit nuk kanë përfillur kërkesat e policisë, dhe në Zveqan pati përlasje mes tyre.
Ata dhanë shifrat se edhe 5 zyrtarë policorë janë lënduar, 4 automjete zyrtare janë dëmtuar, dhe 3 automjete të EULEX’it janë dëmtuar po ashtu.
Policia thanë po ashtu se grupe të caktuara kanë tentuar të mbyllin rrugët me zhavor dhe me automjete të rënda në kët pjesë të vendit.
Njoftimi i plotë:
Ashtu siç është bërë e ditur përmes njoftimeve zyrtare, sot Policia e Kosovës (PK), sipas
autorizimeve ligjore dhe kushtetuese ka asistuar kryetarët e komunave veriore në Zveçan,
Leposaviq dhe Zubin Potok, për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare
komunale.
Qëllimi primar i Policisë së Kosovës ka qenë asistimi dhe ofrimi i sigurisë ndaj kryetarëve të
komunave, mundësimi i realizmit të drejtave të tyre legjitime në vendin e punës dhe siguria e
lëvizjes së lirë të të gjithë personave pa dallim.
Një numër i konsiderueshëm i qytetarëve ishin tubuar pranë objekteve komunale, me qëllim të
pengimit dhe moslejimit të hyrjes së zyrtarëve në objektet e komunave.
Policia e Kosovës duke e njohur të drejtën e qytetarëve për të protestuar e shprehur pakënaqësitë
e tyre në formë të drejtë, paqësore e të ligjshme, ka komunikuar disa herë me të njëjtit dhe ka
kërkuar lirimin e hyrjes në objekte, lejimin e hyrjes së kryetarëve në vendet e punës, e të mos
cenojnë të drejtat legjitime të tyre.
Kërkesat e ligjshme të zyrtarëve policorë nuk janë përfillur, persona të caktuar brenda turmës në
Zveqan kanë shfaqur dhunë, kanë hedhur mjete të ndryshme të forta dhe shok bomba në drejtim
të Policisë dhe automjeteve zyrtare.
Me qëllim të parandalimit të rrezikut të drejtpërdrejtë të shfaqur ndaj jetës së zyrtarëve policorë,
njësitet policore relevante në vetëmbrojtje ishin detyruar të reagojnë me mjetet e tyre të ligjshme,
përfshirë gazin lotsjellës për shpërndarje të turmës, dhe për t’ua mundësuar hyrjen kryetarëve në
objekte komunale. Kryetarët e komunave pas veprimeve policore, kanë hyrë në objektet
komunale, në vendet e tyre të punës.
Si pasojë e sulmeve pesë (5) zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të lehta trupore, janë dëmtuar
katër (4) automjete zyrtare, njërës prej tyre iu ishte vënë zjarri duke u dëmtuar në tersi, janë
dëmtuar disa vetura civile përfshirë të gazetarëve, si dhe tri (3) vetura të EULEX-it. Po ashtu në
disa raste në lokacione të ndryshme janë dëgjuar të shtëna me armë, për të cilat po kryhen hetime në bashkëpunim me organet e drejtësisë.
Individë/grupe të caktuara kriminale, përveç sulmeve ndaj zyrtarëve dhe mjeteve, kanë tentuar
të bllokojnë rrugë të ndryshme me zhavor/gurë dhe mjete të rënda transportuese.
Policia e Kosovës me qëllim të sigurimit të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave, ka marrë
masa për largimin e tyre dhe pastrimin e rrugëve në bashkëpunim dhe koordinim me autoritetet
kompetente.
Mjetet transportuese janë larguar, rrugët janë të lira për qarkullim, përderisa Policia e Kosovës ka
angazhuar njësitet e saja për hetime dhe veprime të mëtejme policore.
Sikurse në çdo rast, hetimet dhe veprimet e mëtejme policore do të ndërmerren në bashkëpunim
dhe koordinim me organet e drejtësisë, për rastin e cilësuar si “Cenim i Rendit Kushtetues &
Shkaktim i Rrezikut të Përgjithshëm & Dëmtim Asgjësim i Pasurisë”.
Situata tani është qetësuar, Policia e Kosovës do të vazhdoj angazhimin dhe përkushtimin e saj
në ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike si
dhe ndërmarrjen e masave policore me qëllim të parandalimit të të gjitha veprimtarive kriminale
që mund të paraqiten në vend./gazetametro.net