Loading…

Kritika javore e librit: Proka, Filip Papajani

  • 09/02/2020 | 20:53

Kritika javore e librit: Proka, Filip Papajani

Ditët e sotme, kur në diskursin publik është gjithherë e më prezent narrativi kundër bullizmit dhe kur një film si ‘’Joker’’, me pikërisht këtë profil, është në konkurrim për Çmimin Oscar, nuk është e parëndësishme të shihet se letërsia shqipe e viteve 30, e ka trajtuar këtë fenomen. Filip Papajani e ka bërë këtë trajtesë në një kohë kur letërsia shqipe ishte relativisht naive, e sapodalë nga një periudhë ku narrativat e mëdha, të heronjve kombëtarë, të viganëve që i çoheshin në mbrojtje kombit e popullit, nuk ishte e mësuar me atë që pritej të vijë.

Në mendimin tim, ndonëse të tilla gjëra nuk thuhen lehtësisht, vitet 30 dhe 40 (para komunizmit), janë vitet më refleksive të letërsisë shqipe në raport me krejt periudhat paraprake. Natyrisht, ky krahasim nuk bëhet dot me letërsinë e sotme që është sofistikuar si në përmbajtje, ashtu edhe në stil e mendim. Por novela “Proka” e Papajanit vjen në një tjetër kontekst. Prandaj është, jo vetëm e trajtueshme, por vlen të trajtohet.

Proka është një tridhjetëvjeçar që, për të përdorur frazën e Migjenit ‘’jeton për hesap të vet’’. Punon tokën, merr drithin, kujdeset për motrën dhe mbesën (të cilën fare shpejt do ta ketë të vetmin gëzim e ngushëllim) dhe jeton, me standardin e atëhershëm, relativisht mirë.

Kur në vend nuk bie shi dhe populli bestyt kërkon të shkojë te lumi Shkumbin për të hedhur gurë (si akt që presupozohet t’ua sjellë shiun), liderët e vendit, kryetari i bashkisë (pra liderë edhe në kuptimin politik përveçse intelektualë), përpiqen ta bindin popullin se kjo ndërmarrje bestyte e primitive është e kotë dhe se shiu nuk do të bjerë përshkak të gurëve të hedhur në lumë. Por, me të parë bindjen e thellë dhe egërsinë e masës popullore, lideri stepet dhe i akomodon ndjenjat e popullatës, duke e shpërfillur atë që ai e di që është e vërtetë. Në epokën tonë, një skenë të tillë, e shohim si reflektim e zeza mbi të bardhë të fenomenit të quajtur populizëm.

Pra, këtë do ta sugjeronte Papajani, në një lexim politik të veprës së tij. Por nuk e di nëse leximi politik është i duhuri, në raport me këtë novelë. Në fakt, jam i bindur që s’është (por jo se nuk duhet marrë sinjale edhe politike nga “sekuenca” të veprës).
Anash digresioneve, dikujt në masë i hyn në kokë ideja ta fusin Prokën në lumë e ta nxjerrin – kështu me siguri do të ketë shi. Këtu fillon turpërimi i Prokës. Atë e fusin dhe e nxjerrin nga lumi, e qullojnë dhe e turpërojnë. Ky akt, duhet thënë, më tepër sesa i shtyrë nga shpresa e vërtetë e masës naive se do të ketë efekt real, ishte i shtyrë nga dëshira e tyre që, në këtë udhë të largët prej vendbanimeve deri te lumi, të argëtohen. Argëtimi me poshtërimin dhe dhimbjen e tjetrit, gjetja e arsyeve për ta torturuar tjetrin dhe grumbullimi rreth “turpit” të tjetrit. Në epokën tonë, një skenë të tillë, e shohim si reflektim e zeza mbi të bardhë të fenomenit të quajtur bullizëm.

E keqja shtrihet edhe më tutje. Proka i zemëruar, që qan në shtëpinë e tij dhe të cilit, ia fshin lotët me pëllëmbëzat e saj të vogla mbesa, është tërë mllef me masën. Deri të nesërmen, kur do të jetë i mllefosur me dikë tjetër.
E nesërmja çel dhe: urra, shi! Vizita te lumi, hedhja e gurëve e, mbase veçanërisht torturimi i Prokës, funksionoi.
Këtu fillon tatpjeta e Prokës që, duke e parë ndodhinë e pakundërshtueshme të rënies së shiut, fillon të mendojë për atë që ka ndodhur dhe, lehtë e ngadalë, rrëshqet në fajësimin e vetes. Ndonëse nuk i jep dot shpjegim turpërimit të tij publik, Proka fillon të besojë vërtet se ai është e keqja, se ai popull i shkretë që e torturoi s’kishte zgjidhje tjetër dhe se, pothuajse për shkak të tij, nuk kishte rënë shiu. Nuk them dot se kjo, në shoqërinë e sotme vjen, e zeza mbi të bardhë, si ‘’sindromi i Stockholmit’’. Për dallim prej dy konstatimeve të para, kjo është më e vagullt, më e paargumentueshme dhe prandaj e vështirë të thuhet me siguri dhe si konstatim. Por, e sugjeroj lexuesin që të mos i injorojë sinjalet provokative që ky tekst i dërgon mendjes sonë edhe në këtë drejtim.

Proka, të cilin shoqëria njëherë e shpall të çmendur, pastaj e çmend vërtet (Apolloni, parathënia), u bë edhe film me sukses ndërkombëtar nga regjisori Isa Qosja.

Pse duhet lexuar Proka?

Prej se kam filluar kritikën javore të librit në Gazetën Metro, lexuesit më kanë shkruar letra elektronike sepse ‘’nuk i tregoja arsyet pse duhej lexuar një tekst’’. Ndonëse unë besoj që saherë vëmë re diçka si kritikë, për të cilën thërrasim vëmendjen e lexuesit, në një mënyrë a tjetër kemi dhënë një arsye për lexim, në rastin e Prokës dua t’i adresoj këto shqetësime dhe të përpiqem t’ju sugjeroj shkurtazi pse duhet lexuar kjo novelë mjaft e shkurtër.

“Proka” është në fillesat e “antiheroit” në letërsinë shqipe. Ai nuk është vigani kombëtar, por është turpi që manifestohet me urrejtjen e vetes e së këndejmi, thellimin në mendim. Nuk është libër i ngjarjes, por libër i mendimit. Këtu, nuk është personazhi që i shërben ngjarjes, por ngjarja personazhit. Pra, fokusi i librit është personazhi (prandaj dhe emri i tij është emri i librit). I shkruar me kujdes dhe shkurt, ai është një manifest për të dobëtin, një shpërfaqje e egërsisë njerëzore ndaj të dobëtit dhe një kundërvënie ndaj bestytnive të kota.

Për t’u rikthyer në fillim, sot kur bota merret gjerësisht me bullizmin, ‘’Proka”, nga koha kur është shkruar duket si një përshkrim për të ardhmen. Dhe kjo e ardhme, mjerisht, ka për të qenë e gjatë. Sepse njeriu e bart stafetën e abuzimit nga brezi në brez dhe e ndryshon, i ndërron ngjyrë e fytyrë, por kurrë nuk heq dorë prej saj.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë