Federata Shqiptare e Futbollit bëri të ditur se ndeshja miqësore mes Shqipërisë U-21 dhe SHBA U-21, e planifikuar të zhvillohej më 30 mars në Antalia të Turqisë, është anuluar.
Sipas njoftimit zyrtar, Federata Amerikane e Futbollit ka informuar FSHF-në se për shkak të situatës së krijuar në Lindjen e Mesme dhe për arsye sigurie ka vendosur të mos udhëtojë drejt Turqisë, duke e bërë të pamundur zhvillimin e kësaj përballjeje.
Ndërkohë, Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë të ditur se është duke shqyrtuar mundësinë për të gjetur një kundërshtar tjetër për Kombëtaren U-21, në mënyrë që të zhvillojë një ndeshje miqësore në të njëjtën datë, më 30 mars.
Kujtojmë se kuqezinjtë U-21 e kanë të planifikuar edhe një tjetër test gjatë këtij muaji, pasi më 27 mars do të përballen me Japoninë U-21 në Antalia, në kuadër të përgatitjeve të skuadrës.