Zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme kanë nisur të japin efektet e para edhe në Kosovë, duke reflektuar në rritjen e çmimeve të derivateve të naftës, për këtë ka reaguar Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, e cila shprehu shqetësimin për ndikimin zinxhir që kjo situatë mund të ketë në ekonomi, transmeton Gazeta Metro.
Në reagimin e saj, Dhoma theksoi se përshkallëzimi i krizës përbën rrezik serioz për sektorë të shumtë ekonomikë dhe për mirëqenien e qytetarëve.
“Duke e parë se kriza po zgjerohet, rreziku i ndikimit negativ tek një numër i madh i sektorëve ekonomikë dhe i rëndimit të mëtejmë të kostos së jetesës dhe shportës së qytetarëve është i madh”, thuhet në njoftim.
Më tej, Dhoma sqaroi se varësia totale e Kosovës nga importi i karburanteve e bën situatën edhe më të ndjeshme, pasi çdo rritje çmimi ndikon drejtpërdrejt në koston e transportit dhe prodhimit. Sipas Dhomës, pasojat nuk do të ndalen vetëm tek çmimet, por do të prekin konkurrueshmërinë e bizneseve vendore dhe kapacitetin eksportues të tyre.
“Meqenëse Kosova importon 100% të karburanteve dhe të njëjtat kanë një përdorim të gjerë në ekonomi, rritja e vazhdueshme e çmimeve të karburanteve ndikon drejtpërdrejt në rritjen e kostos së transportit dhe prodhimit të produkteve ushqimore dhe shërbimeve bazë, duke prekur veçanërisht sektorët më të ndjeshëm të ekonomisë. Kriza mund të ndikoj edhe në rritje të inflacionit. Me këtë rast, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë u bënë thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin veprime konkrete dhe të menjëhershme, duke filluar me realizimin e një dialogu të strukturuar dhe të vazhdueshëm me komunitetin e biznesit, me qëllim identifikimin e sfidave reale dhe gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta”, deklarohet në njoftim.
Në fund, Dhoma propozoi masa konkrete fiskale për të zbutur ndikimin e krizës dhe për të mbështetur sektorët më të prekur.
“DHTIK propozon që të shqyrtohet mundësia e uljes ose pezullimit të përkohshëm të disa taksave për bizneset që preken më së shumti nga rritja e çmimeve, si dhe rishikimi i barrës tatimore për produktet esenciale, në mënyrë që të zbutet ndikimi tek konsumatorët dhe të mbështetet prodhimi dhe eksporti vendor. Dhoma është e gatshme që të ofrojë kontributin e saj në tejkalimin e kësaj situate”, thuhet në reagimin e saj./gazetametro.net