Kosova së fundmi u përball me një situatë tensioni me Serbinë, dhe ajo u arrit të tejkalohet, thuajse pa u vërejtur ndikimi i njeriut me fuqinë më të madhe ekzekutive në vend, kryeministrit Isa Mustafa.
Vendimi për ndalimin e trenit serb që ishte nisur nga Beogradi për në Mitrovicë, duket se u mor në zyrat e presidentit Hashim Thaçi, pas konsultimit me kryeparlamentarin Kadri Veseli, dhe me ambasadat relevante në vend.
Për kryeministrin Mustafa, u tha se në atë kohë nuk ndodhej fare në zyrën e tij, por në ligjeratë me studentë. Pavarësisht a është e vërtetë apo jo kjo, pafuqia e kryeministrit Mustafa, po vërehet edhe në komunikimin me faktorin relevant ndërkombëtar, pas ndalimit të trenit, dhe hapave për të relaksuar raportet Kosovë – Serbi, të tensionuara kohëve të fundit.
Të dy qendrat e politikës botërore, Uashingtoni dhe Brukseli, përzgjodhën presidentin Thaçi, për të biseduar rreth problemeve të fundit me Serbinë, dhe adresimin e kërkesave për kthimin te dialogu si mundësi e vetme për normalizim të marrëdhënieve.
Pas ndalimit të trenit, dhe retorikës luftënxitëse nga Beogradi, zv.presidenti amerikan Joe Biden dhe përfaqësuesja për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, u mobilizuan që të kontaktojnë me liderët relevantë të Prishtinës dhe Beogradit.
Në Serbi të dy, Biden e Mogherini, zgjodhën të bisedojnë me kryeministrin Aleksandar Vucic. Ndërsa, në Kosovë anashkaluan kryeministrin Mustafa, dhe në këtë rol panë presidentin Thaçi. /gazetametro.net