Loading…

Kryeministri Kurti, dy aktet e (pa)mendësisë dhe politikat e theqafjes!?

  • Nga

  • BARDHYL META

  • 23/03/2020 | 21:29

Kryeministri Kurti, dy aktet e (pa)mendësisë dhe politikat e theqafjes!?

Ne s’kemi ndërtuar bashkë “Qeveri të Shpresës” që t‘përzëmë SHBA-të nga Kosova, e t’nxerim qytetarët në ballkone me tenxhere të zbrazëta – por që ti forcojmë miqësitë, dhe tenxheret e qytetarëve ti mbushim plot!? KM Kurti i hoqi njëanshëm Tarifat Serbisë, pa asnjë benefit për Kosovën – me shumë benefite për Serbinë!?! – Sanksione dhe masa reciprociteti i shpalli vetëm SHBA-ve?! Ç’është gjithë ky mobilizim, për theqafje kolektive!? Cilat janë shanset e rikuperimit e të rikthimit të “trenit të Qeverisë së Shpresës”, në binarët e ndërtuar nga votuesit? Një dramë në pesë akte!


Shkruan: Bardhyl Meta

Akti parë!

Veprimet: S’heqet Tarifa ndaj mallrave të Serbisë – “krejtësisht dhe menjëherë” – ashtu siç e kërkonin SHBA-të, dhe ashtu siç i sugjeronte partneri i koalicionit LDK-ja, por, për arsye që “askush” s’i kupton: “KM Kurti, ia heq Tarifat njëanshëm Serbisë”!

Krye m’vete, e me mend të majtistit orthodox, këshilltarit te tij, Elvis Hoxha?

Pra, që ta themi shkurt e shqip: I heq “Taksën” apo Tarifat Serbisë, pa asnjë benefit, pa asnjë benefit për Kosovën, por për shumë benefite Serbisë…!!!

Pse po e themi se i bëri favor Serbisë, dhe asnjë benefit ndërkombëtar e kombëtar shtetit të Kosovës!?

Ngase i hoqi ashtu krye më vete, pa asnjë garancë e dakordësi të ndërmjetësve ndërkombëtare që ne i kishim si Kosovë e shtet për këtë çështje – veçanërisht nga SHBA-të, por i kishim edhe të binomit SHBA-BE, që në këtë pikë kishin konsens, kujtoni vendimet dhe sugjerimet e Quintit”!

Pasoja: Acarim marrëdhëniesh me SHBA-të! Mungesë dhe pezullim të mbështetjes politike, ekonomike, financiare dhe diplomatike të SHBA-ve, dhe mbi të gjitha, edhe me kërcënime të Shtëpisë së Bardhë për tërheqjen e mbështetjes së fuqishme ushtarake të SHBA-ve në Kosovë! Edhe sot e e gjithherë, e vetmja garancë e qenësisë sonë si shtet i pavarur!

Si pasojë qysh sot, jemi pa ndihma financiare nga SHBA-të edhe në këtë kohë që po përballemi me “Murtajen” e CoronaVirusit – kurse Shqipëria këto ditë mori injeksion të fuqishëm financiar nga SHBA-të, ndërkaq Serbia pranoi ndihma të mëdha milionëshe nga Kina, Rusia dhe BE-ja!

Kryeministri ynë mendjendritur, Serbisë i ktheu tregun Kosovarë, me arsyetimin më banal të mundshëm, që na e shpaloi Ministrja e Qeverisë Kurti, Rozeta Hajdari: “Importi i lëndës së parë ishte esencial për prodhuesit vendor”, theksoi ajo, dhe tha pa i bo syni vërh, se “Ndonëse tarifën e mirëpritëm, ndikimi i saj i saj në realitetin ekonomik në Kosovë nuk ka qenë siç ishte pritur”! Andaj e hoqët a?

Po pse moj Fisnike, s’ja bëtë pra këtë favor SHBA-ve që po na luste ndër muaj, po ja bëtë Serbisë njëanshëm?

Pse pra, meqë paska qenë edhe nevojë e madhe e prodhuesve vendorë, pse s’vepruat njëkohësishtë dhe me kohë edhe në favor të ruajtjes së miqësisë me SHBA-të si mirënjohje për mbështetjen e pakursyer e qenësore të SHBA-ve tash e sa dekada, e të bënit edhe favorin prodhuesve me faktin se “Importi i lëndës së parë  nga Serbia paska qenë esencial për prodhuesit vendor”!?

S’do të konvertohet më asnjëherë në favor të Kosovës ky argat që ja bëtë Serbisë – dhe ky ahmakllak e karshillak dhe masa reciprociteti në anën tjetër, që i shpallët SHBA-ve!?

Sikur ti dëgjonte Qeveria ynë Kurti, SHBA-të dhe Berlinin e BE-në, dhe ta dëgjonte partnerin qeverisës LDK-ën dhe Avdullah Hotin – si rrjedhojë, Kosova do ta hiqte Tarifën menjëherë, që në mbledhjen e parë, dhe do ta kishte pastaj si ngaherë, mbështetjen e fuqishme të SHBA-ve (dhe edhe të BE-së) në bisedime e dialog me Serbinë – dhe mbi të gjitha – i gjithë presioni ndërkombëtar pas heqjes së Tarifës në bashkëveprim e dakordim me SHBA-të – do të drejtohej kundrejt Serbisë dhe politikës së saj destruktive dhe fushatës për çnjohje të Kosovës!?

Kështu si bëri e veproi Kryeministri Kurti ndërkaq, përfitoi vetëm Serbia – dhe në anën tjetër u penalizua Kosova me acarim të panevojshëm e justifikueshëm nga SHBA-të.

As në ëndërr, s’ka arrit ta imagjinojë asnjëherë Serbia, se do të vijë një kohë dhe ndonjë establishment Kosovarë, që do ta përmbyste relacionin aq të fuqishëm të Shba-ve me Kosovën, në favor të saj (Serbisë), siç bëri për pak ditë qeverisje e pa asnjë arsye, Kryeministri Kurti!

Akti dytë

Veprimi: Kryetari i LDK-ës, z. Isa Mustafa, i ishte drejtuar Kryeministrit Kurti, me një letër më 16 mars të këtij viti. Katër ditë pasi që në zyrën e tij, së bashku me z. Vjosa Osmani, dhe z. Avdullah Hoti, zv. Kryeministër kishte pas edhe një bashkëbisedim.

Takimi kishte dy çështje urgjente: t’ia bëjnë me dije KM Kurti e partnerit të koalicionit VV-së, se mos heqja e tarifës dhe ashpërsimi i marrëdhënieve me SHBA-të do ta sillte në pikëpyetje koalicionin. Në vijim adresimi që i kishte dërguar me shkrim:

“I nderuari Kryeministër, Kurti

Si partner i koalicionit, unë dhe drejtuesit tjerë të LDK-së ndajmë bindjen se nuk duhet të rrezikojmë partneritetin me SHBA-të. Se duhet ta heqim tarifën dhe Qeveria ta merr përgjegjësinë që i takon në dialog. LDK ka mbështetur Rezolutën në Kuvend për dialogun dhe nuk do të mbështes në asnjë rast një marrëveshje që prek kufijtë dhe organizimin e brendshëm.

Ne nuk mund të rrezikojmë partneritetin me SHBA-të, për shkak të tarifës.

Prezenca e fuqishme e SHBA-së në Kosovë është jetike për vendin tonë.

Kemi probleme të mëdha me virusin Covid-19. Këtë betejë duhet ta fitojmë bashkërisht.

Nuk e kemi bërë koalicionin për ta prishur, por për të bërë ndryshime.

Prandaj të lutem për mirëkuptim që tarifa të hiqet gjatë kësaj jave. Mos e kupto këtë si kërkesë të njëanshme por si interes të përbashkët.

Nëse vazhdohet kështu, posa ta kapërcejmë këtë situatë emergjente me Virusin, si LDK do të detyrohemi të dalim nga koalicioni, sepse nuk duam të jemi bashkëpërgjegjës të prishjes së marrëdhënieve me aleatin tonë kryesor.

Për këtë do ta njoftoj edhe Ambasadorin Grenell.”

Me respekt,

Isa Mustafa

Akti i tretë: Përgjigjen që e mori LDK dhe Isa Mustafa nga Kryeministri Kurti, më 18 mars, ishte shkarkimi në kundërshtim me Marrëveshjen për koalicion, të nënkryetarit të parë të LDK-së, z. Agim Veliu nga pozita e Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike dhe shpallja e tij, hiq më pak se, tradhtar të dyfishtë (si u tha) në adresimin e tij qytetarëve në mbrëmjen e asaj ditë.

Pas këtij akti, kryetari LDK-ës, e zbardhi letrën si më sipër, dhe shtroi dy pyetje publike dhe një udhëzim partnerit të koalicionit:

Ju pyes juve qytetarë të nderuar… dhe, edhe nja dy tre deputetë të LDK-së:

1. A është ky veprim i drejtë i Kryeministrit tonë?

2. A flet ky veprim se Kryeministri Kurti është i përkushtuar ta ruaj koalicionin dhe ta luftojmë bashkërisht Virusin Corona?

Rekomandimi: Pres edhe sot që zoti Kurti ta heq tarifën, dhe ta anulojë vendimin për shkarkimin e z. Veliu!

Pasojat: Ajo çfarë dua të them, është se Kosova se ka luksin që t’eksperimentohet me qenësinë e saj, nga Kryeministri Kurti!? Qoftë si shtet (Akti parë… me SHBA-të), apo qoftë me akte destabizuese të rrënimit e zhbërjes së Koalicionit dhe partneritetit të koalicionit me LDK-ën përmes shkarkimit të Nënkryetarit të LDK-ës, z Agim Veliu (Akti dytë), me arsyetime nga më banalet “se paska përhap panikë” – por që përkthyer i bie shkurt e shqip, rrëzimin e qëllimshëm të Qeverisë sonë VV-LDK! – në një kohë kaq të pa kohë, në një kohë të një pandemie globale ku edhe shtete si Italia, përkundër aleancave historike e globale që Italia ka ndër shekuj (plus të qenit anëtare e BE-së dhe NATO-s) si dhe partnere e ngushtë e SHBA-ve, por megjithatë, po ndihet e vetmuar dhe po kërkon ndihmë…?!

Pyetje:

1. A veprohet kështu me partnerin tonë historik, SHBA-të? Të cilëve, s’gjen një qytetarë Kosove, që s’ua njeh falënderimin e përjetshëm për faktin e qenësisë sonë si të lirë, me shtet të pavarur e sovran, të rindërtuar e mbrojtur në arenën ndërkombëtare?

2. A veprohet kështu me partnerin me të cilin ke 2 vite të përbashkëta opozitarizmi, dhe ke koalicion e program të përbashkët qeverisës e program masash emergjente – qoftë për sfidën kundrejt Serbisë; Qoftë për masa po aq emergjente kundër krimit e korrupsionit endemik, e qoftë për masa edhe më emergjente kundër sfidës së pandemisë globale të CoronaVirusit vdekjeprurës, po aq vdekjeprurës, sa edhe kohërat e gjenocidit serb në vitin 1999, e të kohës kur në Itali, po vdesin rreth 700 të infektuar në ditë?!

Akti i katërt (me vetëm dy skenarë):

Në vend se të mblidhemi e mobilizohemi bashkë, shpinë-për-shpine e krah për krahu, e t’ftojmë edhe çdo mendje tjetër të ndritur e të mençur dhe çdo resurs të këtij vendi, edhe përtej kartelës së librezave partiake – përball sfidave të shumta që ka vendi – Kryeministri ynë, rrënon çdo urë përbashkimi me çdo kënd që si nënshtrohet (pa)mendësisë së tij, brenda dhe jashtë vendit!

z. Agim Veliu, nëse se keni egon tuaj mbi interesat dhe emergjencën e vendit – duhet të kthehet në postin e Ministrit, aty ku ishte me marrëveshjen e koalicionit!

Arsyetimet zyrtare që u dhanë, se Agim Veliu ka përhapur panik, janë për tinejxherë që lëngojnë nga virusi marramendës i “brainwash-it”!

Sikur të udhëhiqej Gjermania me egon dhe (pa)mendësinë Tuaj, atëherë Bundestagu Gjerman – jo vetëm se do ta shkarkonte Kancelaren Merkel, kur deklaroi në adresimin e saj kombit, se kabineti saj parashihte rrezikun që rreth 70% e 82 milion gjermanëve rrezikojnë të infektohen nga CoronaVirusi për pak javë – por edhe do ta burgoste menjëherë për destabilizim të vendit e siguri kombëtare, kancelaren Merkel!?

Edhe Kryeminstri i Shqipërisë, Edi Rama që donte të shkarkonte Ilir Metën, sikurse edhe Ilir Meta që donte të shkarkonte Edi Ramën, janë bërë aktualisht krah për krah, e janë bërë komplementarë dhe mbështesin njëri tjetrin në këto rrethana…!

LDK, tash e 30 vite, njihet përgjithësisht dhe mbahet mend nga çdo aleat ndërkombëtar e kombëtar, se është partner serioz në të cilin mund të llogaritet gjithë herë! S’ka pabesi, as dominime. Ndjek rrugën dhe vizionin e saj. Kjo është kultura dhe mendësia jonë.

Akti i pestë: Neve bashkë, pra Ju, VV-në, dhe Ne, LDK-ën – qytetarët na kanë autorizuar të udhëheqim bashkë, karshi sfidave që përmendëm më lartë.

S’kemi vota as ne dhe as Ju, që ta luftojmë apo nënshtrojmë e ofendojmë njëri tjetrin, dhe bashkërisht ta nënshtrojmë edhe vendin!

Zoti Kurti, nëse s’riktheni gjendjen aty ku ishte kur u lidhëm bashkë, atëherë, në theqafjen tuaj, të përzgjedhur e vet dëshiruar, s’na keni aleat.

Aq më pak do të jemi bashkë, në theqafjen e shtetit.

Në këtë të fundit, po e them krejt hapur – na keni përballë! Dhe do t’afrojmë në këtë mision, çdo mendje e frymë progresive brenda dhe jashtë vendit, të gjithë që se konsiderojnë veten monark e pronarë, por e donë këtë vend si të Lirë, Demokratik e të Pavarur! Që e donë Kosovën si një vend me shumë miq e aleat, e mbi të gjitha në marrëdhënie miqësore me ShBA-të!

Paranoja, teoritë konspirative, rrahagjoksja fëmijërore karshi SHBA-ve, axhamillëku karshi Serbisë, e tutje ndërtimi i kultit të “prijësit e profetit” të madh që na qon kah theqafja me teoritë “do të hamë edhe bari por se lëshojmë rrugën e Albinit”! – janë subjekt i mirë për Kadarenë e shkrimtarë tjerë të rinj për romane e letërsi mbi rikthimin e komunizmit dhe regjimeve të njëmendësisë e autoritarizmit – por s’mund të jenë udhërrëfyes i një kombi dhe shteti kaq të brishtë, që sapo ka kaluar fruthin, kollin e keq e teket e pubertetit!

LDK, as se zgjatë dorën e s’lidhet lehtë bashkë, dhe, as s’largohet lehtë. Reflektojmë, kundërshtohemi, replikojmë dhe e bëjmë zëshëm, pra edhe publikisht mes nesh në parti. Edhe me partnerët! Por mbajmë fjalën.

Në rrethanën e krijuar, kemi konsensus optimal brenda partisë dhe vetëdije se fryma eksperimentuese që po etabloni dhe aktet e njëanshme, na ftojnë për urgjencë dhe veprime.

Dera është ende hapur – dhe fjala është tash e Juaja, e sidomos veprimi!

Urojë për mirë…, por sidoqoftë, shëndet, z. Kurti!

(Autori i kësaj kolumne është ish-deputet i LDK’së)

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë