Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, të mbajtur sot, kryeministri Isa Mustafa tha se Kosova e ka detyrim themelimin e Asociacionit, ndërsa ka bërë thirrje Listës Serbe që të kthehet në institucionet e Kosovës.
“Ne kemi pasur disa aktivitete sa i përket plotësimit të detyrimeve që i ka Kosova për themelimin e Asociacionit. Unë si kryeministër kam tentuar 3 herë të thërras në takim përfaqësuesit serbë, deputetët e ministrat e kësaj liste, për të filluar procesin e fillimit të statutit dhe për të proceduar me këtë obligim që është i yni. Ne kemi vlerësuar mbi bazën e këtyre marrëveshjeve se statuti duhet të hartohet dhe është obligim i yni. Është proces që del nga një marrëveshje që kemi nënshkruar në Bruksel. Shprehim edhe njëherë gatishmërinë si Qeveri që ta përmbushim këtë obligim që kemi marrë”, ka thënë kryeministri Mustafa.
Mustafa tha statuti do të hartohet në Kosovë dhe presin që serbët të kyçen në këtë proces.
“Kërkojmë që serbët të kthehen në Qeveri e Kuvend. Mbetet në përgjegjësinë e tyre. Është edhe ndërhyrja e Serbisë. Nëse vazhdon të prolongohet tregon se vetë serbët nuk janë të interesuar. Kjo do të thotë se vetë Serbia nuk është e interesuar për Asociacionin”, theksoi ai./gazetametro.net