Rrahman Jasharaj nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK), ka dhënë detaje për takimin që kanë mbajtur sot me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministren e Arsimit Arbërie Nagavci, shkruan Gazeta Metro.
Kryetari i SBASHK’ut, Rrahman Jasharaj në një prononcim për Metron ka thënë se takimi ka ndodhur në Ministrinë e Punëve të Brendshme, pasi aty është pozicionu edhe ministria e Administratës Publike.
“Sponzorues i Ligjit të Pagave është kjo ministri, që nga z.Sveçla. Në takim ka qenë edhe zonja Arbërie Nagavci, ku edhe jemi interesuar më shumë për ligjin e pagave”, ka thënë Jasharaj për Metron.
Tutje ai ka thënë se ministri Sveçla u ka thënë atyre se Ligji i Pagave është duke u punuar.
“Sveçla na ka konfirmuar se Ligji i Pagave është duke u punuar. Edhe Sveçla i tha ato që janë në përgjegjësinë e tij, dhe u vërtetua që ligji është duke u punuar, dhe ne insistuam që të punojnë që në leximin e dytë të ketë angazhim që të sigurohen mjete buxhetore të mjaftueshme që do ta mbështesin implementimin e ligjit”, ka treguar tutje Jasharaj.
Sipas të parit të SBASHK’ut, pas hartimit të Ligjit të Pagave, ministria do të ketë diskutime edhe me sindikatat për një hartim sa më të mirë të këtij ligji.
Derisa është pyetur se a do të ketë shmangie të grevave, Jasharj ka thënë se ai dhe as përfaqësuesi tjetër i SBASHK’ut që ka qenë në takim me ministrat nuk janë të autorizuar që të shmangin ose të nisin greva apo protesta.
“Unë edhe përfaqësuesi tjetër që ishte në këtë takim, nuk e kemi autorizimin që t’i heqim protesta e as ti thirrim ato. Ne do ta kemi një takim onlin me kryetarët e komunave dhe universitet, ku do të ju tregojmë saktësisht çfarë ndodh dhe më pas merren edhe veprimet e duhura”, ka thënë Jasharaj në fund për Metron.
SBASHK’u ditë më parë ka bërë të ditur se do të marrë masa në rast se nuk procedohet Ligji i Pagave në Kuvend. Në këtë njoftim kjo sindikatë kishte njoftuar se do të ketë greva dhe protesta në arsim. /gazetametro.net