Loading…

Kryetarja e Gjykatës Speciale pamundësoi lirimin e Thaçit me largimin e gjyqtarit Ambos, gjyqtarja Jorgensen votoi kundër

  • 28/10/2021 | 16:12

Kryetarja e Gjykatës Speciale pamundësoi lirimin e Thaçit me largimin e gjyqtarit Ambos, gjyqtarja Jorgensen votoi kundër

Dhomat e Specializuara në Hagë, me vendimin e djeshëm të Apelit për kërkesën e lirimit me kusht për ish-presidentin Hashim Thaçi, bazuar edhe në opinionin e gjyqtares Nina Jørgensen, i kanë thelluar edhe më shumë dyshimet për të cilat kishte raportuar Gazeta Insajderi më 27 gusht 2021.


Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, e kishte eliminuar nga Paneli i Apelit gjyqtarin Kai Ambos, i cili kishte hapur mundësinë e lirimit me kusht të Hashim Thaçit përmes garancioneve të shteteve të treta.

Vendimi i djeshëm i panelit të Apelit është marrë me shumicë votash, por për pikën e 6-të të ankesës lidhur me garancitë e shteteve të treta, gjyqtarja Nina Jørgensen ka votuar kundër, duke konstatuar se Gjyqtari i Procedurës Paraprake është dashur t’i dëgjojë shtetet e treta për garancitë e dhëna, para se të vlerësonte nëse garancitë adresonin rreziqet e identifikuara.

Gjyqtarja Nina Jørgensen ka qenë pjesë e panelit të Apelit edhe herën e parë kur gjyqtari Kai Ambos kishte hapur mundësinë e lirimit me kusht në shtetet e treta.

Ky gjyqtar ishte larguar pa shpjegim nga paneli i ri për trajtimin e ankesës së dytë për lirim me kusht, sepse vendimi i djeshëm i Apelit, duke marrë për bazë edhe opinionin e gjyqtares Nina Jørgensen, po të ishte edhe gjyqtari Ambos pjesë e panelit, do të ishte ndryshe bazuar në qëndrimet tashmë të njohura të këtyre dy gjyqtarëve dhe ish-udhëheqësit e UÇK-së do të lejoheshin të mbroheshin në liri.

Kai Ambos, gjyqtari i Dhomave të Specializuara, i cili hapi mundësinë e lirimit me kusht të ish-presidentit Hashim Thaçi, ishte eliminuar nga paneli i Apelit me vendim të Ekaterina Trendafilovës, kryetares së kësaj gjykate.

Udhëheqësja e Gjykatës Speciale kishte caktuar tre gjyqtarë në përbërjen e re të panelit të Apelit për shqyrtimin e ankesës së mbrojtjes së Hashim Thaçit ndaj masës së paraburgimit të caktuar ndaj tij.

Ky panel i ri i Apelit, që dje mori vendimin ndaj ankesës së mbrojtjes së Thaçit, përbëhej nga gjyqtarët Michèle Picard, Emilio Gatti dhe Nina Jørgensen.

Gazeta Insajderi kishte raportuar në muajin gusht se pjesë e panelit shqyrtues nuk do të ishte më Kai Ambos, ish-pjesëtari i kësaj trupe që kishte vlerësuar se ofrimi i garancionit nga një shtet i tretë do të ishte vendimtar për lirimin me kusht të Thaçit.

Ky plan ishte evidentuar më 29 korrik, në kuadër të një vendimi për përbërjen e një paneli që do të shqyrtonte kërkesën e palës mbrojtëse për afat shtesë, për depozitimin e ankesës në kundërshtim të vendimit të Gjyqtarit të Procedurës Paraprake, Nikola Giju, për mosshqyrtimin e garancioneve të ofruara nga vendet e treta për lirimin e Thaçit.

Gjyqtari i Procedurës Paraprake, Nikola Giju, në vendimin e datës 23 korrik kishte refuzuar kërkesën e ekipit të mbrojtjes së ish-presidentit Thaçi për lirimin e tij me kusht pa i marrë për bazë garancionet e vendeve të treta.

Këtë e kishte bërë pa ndonjë vlerësim të këtyre garancioneve, nga një panel i gjykatës, ani pse një gjë e tillë parashihet me ligjet dhe rregulloret në fuqi. Giju kishte konkluduar se nuk ka qenë e nevojshme t’i vlerësonte garancionet e ofruara për lirimin me kusht të ish-presidentit Thaçi. Në vendimin e tij, ai kishte konsideruar se asnjë kusht shtesë, përfshirë kushtet e propozuara ose ndonjë kusht tjetër nuk mund të adresojë sa duhet rreziqet e paraqitura nga Thaçi.

Mbetet enigmë nëse edhe gjyqtarja Nina Jørgensen do të largohet nga paneli i Apelit, sikurse gjyqtari Kai Ambos, për trajtimin e ankesës së radhës për shkak të votës së saj kundër këtë herë.

Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, deri më tani i ka ndërruar gjithmonë gjyqtarët që kanë ndarë mendime të kundërta me vendimet e Gjyqtarit të Procedurës Paraprake, Nikola Giju. Por, i vetmi Gjyqtar i Procedurës Paraprake i pandryshuar asnjëherë prej saj në të gjitha rastet kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së, me vendimet e të cilit ata edhe janë arrestuar dhe po vazhdojnë të mbahen si të paraburgosur në Hagë është gjyqtari Nikola Giju.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë